Search

Forumi Ekologjik nxori në pah nevojën për bashkëpunim më të madh në sektorin energjetik në RMV

23 Nëntor, 2022


Vendet e rajonit kanë nevojë urgjente për transformim social dhe ekologjik. Kështu ka vlerësuar kryetari i fondacionit “Fredrih Ebert” dhe ish kryetar i Parlamentit Evropian Martin Shulc.

Në fjalimin e tij në Forumin Socio-ekologjik në Shkup, Shulc theksoi se zhvillimet në Ukrainë për shkak të agresionit rus, kanë bërë që të nevojiten zgjidhje globale.

“Nevojitet bashkëpunim ndërkombëtar, posaçërisht roli i Kombeve të Bashkuara i cili është nën kërcënim. Po ashtu është tepër e vështirë që të arrihet deri tek konstatimet obligative të përbashkëta mes pjesëmarrësve botëror. Këshilli i Sigurisë së KB-së ndodhet në situatë absurde duke pasur parasysh atë që shteti i cili i shkakton problemet mund t’i bllokojë vendimet, siç është Rusia e cila i shkel të drejtat ndërkombëtare. Patjetër të investojmë politikisht, gjithçka që nevojitet në këtë transformim socio-ekologjik”, deklaroi Martin Shulc, Fondacioni “Fredrih Ebert”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në fjalën e tij ka theksuar se zgjidhja e krizës socio-energjetike më e lehtë do të ishte sipas propozimit për bashkëpunim të bërë nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Mund të sigurohet bashkëpunim me BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kjo është kyçe në përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët për furnizim me gaz dhe burime të energjisë dhe në pakon e ndihmës e cila nuk ishte e dedikuar vetëm për vendet e Bashkimit Evropian por edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe kur flas për një bashkëpunim, flas për bashkëpunim të këtillë. Kjo është diçka për të cilën duhet t’i jepet mirënjohje Komisionit Evropian dhe kryetares së KE-së”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se kriza energjetike mund të tejkalohet vetëm nëse kërkojmë zgjidhje për rajonin e jo zgjidhje individuale vetëm për vete. Ai ka potencuar se Kosova nuk ka nevojë për burime të energjisë nga Rusia.

“Kosova fatmirësisht nuk është e varur nga gazi rus. Problemi është se ne jemi të varur nga termocentrali ynë me linjit. Qymyri është i lirë, por qymyri është ndotës gjithashtu. Andaj Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të hedhë themelet për të ardhmen e vendit në sektorin energjetik që në mënyrë të shtuar do të mundësojë siguri për furnizim energjetik, energji të pastër dhe efikasitet energjetik”, u shpreh Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Ndërsa Damjan Gjiknuri, nga Partia Socialiste e Shqipërisë, theksoi se politikë kryesore e të gjitha vendeve të rajonit dhe Evropës duhet të jetë tek kombinimi i burimeve të ndryshme të energjisë.

/Alsat