FKEE vazhdon në implementimin e masave për përmisiminë e efiçiencës së energjisë në vend
June 11, 2025

Fondi për Efiçiencë të Energjisë, FKEE, njofton për disa nga investimet e fundit që po implementohen në ndërtesa të ndryshme në vend.
Në Podujevë, po investohet në implementimin e masave në 4 ndërtesa. Dy prej tyre janë SHFMU “Hamit Sejdiu” dhe ajo “Isa Boletini”.
Investimet që po kryhen përfshinë:
- Termoizolimin i mureve të jashtme dhe kulmit
- Ndërrimin e dritareve dhe dyerve të jashtme
- Instalimin e kaldasë së ngrohjes
- Vendosjen e ndriçimit LED
Sipas FKEE Këto masa do të përmirësojnë ndjeshëm komoditetin e nxënësve dhe mësimdhënësve të këtyre institucioneve arsimore, do të rrisin kursimin e energjisë dhe do të ndikojnë direkt në mbrojtje të mjedisit.
Po ashtu, në ndërtesat e banimit sociale në Plemetin të Obiliqit po realizohen investime për rritjen e efiçiencës së energjisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët në këto ndërtesa.
Këto ndërtesa së fundmi janë vizituar nga Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përfaqësuesin i Bashkimit Evropian në Kosovë, Johannes Madsen, ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.
Në këto ndërtesa po punohet në izolimin e çative dhe mureve të jashtme, ndërrimi i dyerve edhe dritareve të vjetruara, instalimi i sistemeve të ngrohjes efikase, vendosja e interfonisë dhe implementimi i masave për mbrojtje nga zjarri. Në kuadër të mbështetjes shtesë po investohet edhe në sistemin e ujësjellësit. Punimet në këto ndërtesa pritet të përfundojnë në muajin gusht.
Ministrja Rizvanolli tha se me këto investime pritet që në njërën ndërtesë të kursehet energjia deri në 71%, teksa tek tjetra deri në 75%.
“Pas investimeve, kursimi i energjisë në fund do të jetë 71% në njërën dhe 75% në tjetrën dhe kjo do të thotë jo vetëm fatura më të ulëta, shpenzime më të ulëta por gjithashtu edhe rehati shumë e madhe për banorët dhe shpresoj që dimrin e ardhshëm si rezultat i këtyre investimeve do ta kalojmë shumë më lirë e më lehtë të gjithë këta banorë”, përfundoi ajo.
Ndërsa, përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Madsen u shpreh i lumtur gjatë kësaj vizite për investimet që janë duke u bërë për përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Këto projekte të FKEE mbështeten nga qeveria e cila ka përfituar grant nga Bashkimi Evropian për të mbuluar 90% të investimeve. Kuse komunat përfituese mbulojnë 10% të investimit.