FKEE: Investime në ndërtesat sociale në Prishtinë me vlerë €1.24milionë
August 20, 2025

Në Prishtinë janë përuruar punimet në katër ndërtesa shumë-banesore sociale, ku jetojnë 200 familje, mes tyre 100 familje të dëshmorëve e veteranëve të luftës së UÇK-së dhe 16 familje që udhëheqin nga gra kryefamiljare.
Si dhe në shumë komuna tjera, ky investim është realizuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, FKEE, në kuadër të projektit “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për ndërtesat shumë-banesore sociale”.
Me një investim prej 1.24 milionë euro vetëm në Prishtinë, janë realizuar punimet që përfshijnë izolimin e jashtëm, ndërrimin e dritareve dhe dyerve, termoizolimin e kulmeve, instalimin e sistemit të ri të ngrohjes, vendosjen e interfonisë dhe masa mbrojtëse kundër zjarrit.
Projekti implementohet nga FKEE dhe mbështetet nga qeveria, investimet realizohen përmes përkrahjes financiare nga Bashkimi Evropian me 90% dhe pjesëmarrjen nga komuna me 10%.
Në ceremonia e përurimit të këtyre ndërtesave të pranishëm ishin dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ministrja në detyrë e ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe përfaqësuesi nga zyra e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi.
“Pas përfundimit të këtyre renovimeve, banorët sivjet do të kenë dimra më të ngrohtë dhe më të sigurt. Investimi i përgjithshëm është 1.24 milion euro, 90% nga BE-ja. Renovimi përfshin izolimin e kulmeve dhe mureve, ndërrimin e dyerve dhe dritareve, si dhe vendosjen e sistemeve të reja të ngrohjes dhe masave të sigurisë. Ky projekt është pjesë e një programi më të gjerë prej 6 milionë euro për 28 ndërtesa sociale në 13 komuna, që përfshin 889 familje”, ka thënë kryeministri Kurti.
Ndërsa, ministrja Rizvanolli theksoi se sa i përket financimit të projekteve të ngjashme në të ardhmen, si qeveri janë duke punuar me Fondin e Kosovës për Efi֛çiencë të Energjisë, duke qenë se tash më Fondi ka përvojën e zbatimit të projekteve, synojnë që projekti të zgjerohet edhe në banesa të tjera.
“Jemi shumë të lumtur që në vijim i kemi edhe dy projekte, njëri tani veç është nënshkruar për renovimin e 400 ndërtesave publike dhe pret miratimin nga Kuvendi sapo të konstituohet, ndërsa për sektorin rezidencial, pra për sektorin e banimit, Fondi në bashkëpunim me ne dhe të gjithë partnerët, jemi duke bërë dizajnimin e skemave dhe pastaj të vazhdojmë me financime të projekteve”, tha Rizvanolli.
Kurse, Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë, theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta përkrah Kosovën në investime në efiçiecë të energjisë, që sjellin kushte më ët mira për banorët.
“Jam i lumtur që paketa e mbështetjes energjetike po mundëson një investim kaq të rëndësishëm për përfitimin e qytetarëve, duke avancuar njëkohësisht tranzicionin energjetik të Kosovës”, tha ai.
Në kuadër të reformës për efiçiencën e energjisë, përveç ndërtesave sociale, qeveria ka mbështetur në Prishtinë renovimin edhe të 15 ndërtesave publike, prej tyre spitale e universitete me investim prej rreth 4 milionë euro. Ndërsa, me përkrahjen e Bashkimit Evropian, janë subvencionuar 425 familje me mbi 1.5 milionë euro për izolimin e shtëpive të tyre.
Prishtina është pjesë e projektit prej mbi 6 milionë euro që FKEE po realizon në 28 ndërtesa sociale në 13 komuna të vendit, me synimin për të garantuar një sistem energjetik më të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe të drejtë për të gjithë qytetarët.