Search

Fillon furnizimi i jashtëzakonshëm me ngrohje në Prishtinë

12 Tetor, 2021


Pasi janë përcjellë me kujdes lëvizjet e temperaturave të ajrit, dhe pas përkeqësimit të motit, NP “Termokos” Sh.A, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për fillimin e parakohshëm të furnizimit me ngrohje, njofton Termokos Sh.A në faqen e tyre zyrtare në rrjetin social Facebook.

Fillimin e furnizimit me ngrohje e ka nisur kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka uruar për një sezon të mbarë ngrohës, përcjell kosovo.energy.

Ai ka falenderuar menaxhmentin e NP “Termokos” dhe gjithë punëtorët për angazhimin dhe kontributin, që kanë dhënë për funksionimin e ndërmarrjes.

“Unë gjithmonë e kam përmendur “Termokos”-in si një storie suksesi”, ka thënë kryetari Ahmeti optimist për zhvillimin e mëtutjeshëm të projekteve dhe të ndërmarrjes.

Ndërkaq, Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A., Arsim Fetahu ka falenderuar kryetarin Ahmeti për mbështetjen e vazhdueshme, që ka ofruar për ndërmarrjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyer përgjatë këtyre viteve.

Pas nënshkrimit të aneks kontratës për furnizim me energji me KEK-un, NP “Termokos” ka filluar sot të marrë sasitë e para të energjisë. Gradualisht energjia termike do të nisë të shpërndahet në rrjetin e ngrohjes, ndërsa efekti i saj pritet të vërehet nesër në orët e mëngjesit tek konsumatorët tanë.

Bazuar në Rregulloren për kushtet e përgjithshme të furnizimit me energji të ZRRE-së, përkatësisht nenit 6 të saj, pikës 2 dhe 3, në raste si këto kur temperaturat e ajrit janë më të ulëta se 12 gradë Celzius, atëherë mund të fillojë furnizimi i jashtëzakonshëm me ngrohje.

Sado që, ky është një furnizim i jashtëzakonshëm me ngrohje, dhe si rrjedhojë edhe fillim i parakohshëm i sezonit ngrohës 2021/2022, shpresojmë për një sezonë të mbarë dhe të suksesshëm ngrohës.