Search

Fillojn punimet për Solar4Kosovo – KEK paralajmëron përdoruesit e tokës afër TC A

September 15, 2025


Korporata Energjetike e Kosovës, KEK, njofton opinionin publik për fillimin e punimeve ndërtimore të projektit solar Solar4Kosovo.

Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian përmesë Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), qeveria Gjermane përmes KfW, Banka Evropiane për Investime dhe

KEK.

“Projekti përfaqëson një hap të rëndësishëm në tranzicionin energjetik të Kosovës, duke kontribuar në rritjen e prodhimit nga burime të qëndrueshme dhe të ripërtëritshme të energjisë.” thuhet në njoftim.

Punimet ndërtimore do të zhvillohen në zonën afër Termocentralit Kosova A, që shtrihet në komunën e Obiliqit dhe Fushë Kosovës. Këto punime kryesisht lidhen me banorët e Kryshevcit (Dardhishtë) dhe lagjes Mërlak në fshatin Kryshevc, në komunën e Obiliqit.

Mirëpo, KEK sqaron se deri më tani nuk ka ndërmarrë masa ndaj përdorimit të paautorizuar të tokës, pasi nuk ka ekzistuar një plan konkret zhvillimor për atë zonë. Për më tepër, në përputhje me përgjegjësitë e saj si kompani publike dhe në kuadër të politikave të Përgjegjësisë Shoqërore Korporative (CSR), KEK ka lejuar këtë shfrytëzim të përkohshëm nga komuniteti lokal.

Prandaj, KEK ka njoftuar se të gjithë përdoruesit e paautorizuar të tokës duhet të ndalojnë përdorim e tokës, sepse sezoni bujqësor i vitit 2025 paraqet sezonin e fundit ku është mundësuar zhvillimi i aktiviteteve bujqësore në këto toka.

Toka në këtë zonë janë pronë e KEK-ut dhe ato do të fillojnë përgatitje për punimet e ardhshme ndërtimore të projektit solar.

Përveç njoftimit në media korporata do të ofroj njoftime zyrtare dhe tabela paralajmëruese që do të vendosen në perimetrin e zonës së projektit, e cila do të jetë e rrethuar me gardh sigurie.

KEK fton të gjithë përdoruesit e tokës dhe personat e prekur nga ky vendim që, për çdo sqarim ose informacion shtesë, të kontaktojnë përfaqësuesit tanë në:

Tel: +383 44 284 594

Email: [email protected]

Adresa: Sheshi Nënë Tereza, Nr.36, Prishtinë 10000