Search

Faza e dytë e hidrosistemit Ibër-Lepenc po fillon të jetësohet

21 Dhjetor, 2021


Faza e dytë e hidrosistemit Ibër-Lepenc po fillon të jetësohet. Projekti do të ofroj një zgjidhje përfundimtare të problemit me ujë për gjysmën e Kosovës si dhe ka për synim edhe zhvillimin e potencialit hidroenergjetik të digave të propozuara për të kontribuar në burimet e ripërtëritshme të energjisë së vendit.

Pas aprovimit të grantit për zhvillimin e dizajnit preliminar dhe vlerësimit mjedisor dhe social për digën e Friajës, në vlerë prej 1.8 Milion€ nga WBIF, sot në ambientet e MMPHI-së, u mbajt takimi në mes të përfaqësuesve të institucioneve përfituese për përgatitjen e kornizës institucionale për zbatimin e këtij projekti.

“Studimi i Fizibilitetit për Ndërtimin e Kanalit të Lepencit dhe Digave të Shtimes dhe Firajës”, rekomandoi një qasje në dy faza për zbatimin e projektit (fazës së dytë të Ibër Lepencit).

Faza e parë, siguron ujë për nevojën urgjente për ujë të pijshëm për 400,000 banorë në zonën e projektit, dhe Faza e dytë (deri më 2031), fokusohet kryesisht në zhvillimin e bujqësisë. Faza e parë përfshin ndërtimin e Digës devijuese të Firajës së Poshtme dhe rrjetit përcjellës të tubacioneve të ujit në zonat e shërbimit të tre KRU-ve (Prishtina, Bifurkacioni dhe Hidromorava).

Kjo fazë parashikohet të përfundojë gjatë viteve 2025-2026 dhe llogaritet të kushtojë rreth 49,2 milionë€.

Faza e dytë përfshin ndërtimin e Digës së Epërme të Shtimes dhe kanaleve të transferimit dhe transportit të ujit për qëllime të ujitjes.

Faza e dytë llogaritet të kushtojë rreth 332,2 milionë €.