Faza 2 e Liberalizimit të Tregut: Bizneset vazhdojnë të furnizohen në treg të lirë, prosumator bien nga skema mbështetëse
March 05, 2026

Nga 1 prilli 2026 do të nisë faza e dytë e daljes së konsumatorëve komercialë në tregun e hapur të energjisë elektrike.
Në njoftim thuhet se, në përputhje me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe me kërkesë të Zyra e Rregullatorit për Energji, ZRRE, bizneset me mbi 50 punonjës ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro nuk do të furnizohen më me tarifa të rregulluara në kuadër të shërbimit universal, por do të jenë të obliguar të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre, pra kushtet e njejta sin ë fazën e parë.
“Nga data 1 prill 2026 do të vazhdojë faza e dytë e daljes së konsumatorëve komercialë në tregun e hapur”, thuhet në njoftimin e KESCO-s.
“Duke filluar nga 01 prill 2026, KESCO në rolin e Furnizuesit të Shërbimit Universal nuk do të mund t’i furnizojë këto biznese me tarifa të rregulluara”, theksohet më tej.
Bizneset e prekura duhet që deri më 1 prill 2026 të zgjedhin një furnizues të licencuar në tregun e hapur dhe të nisin procedurën e ndërrimit të furnizuesit të paktën 21 ditë pune para hyrjes në fuqi të kontratës së re.
Në të kundërtën, kompania paralajmëron se nga 1 prilli ato do të furnizohen përkohësisht nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për një periudhë deri në 60 ditë.
“Në mungesë të një kontrate brenda këtij afati, furnizimi me energji elektrike do të ndërpritet në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.
Kjo fazë prek prosumatorët
Po ashtu, KESCO ka bërë të ditur se bizneset që janë vet-konsumatorë (prosumatorë) nga kjo datë nuk do të jenë më pjesë e skemës me tarifa të rregulluara, ndërsa trajtimi i energjisë së prodhuar dhe të injektuar në rrjet do të rregullohet sipas kontratës me furnizuesin e ri.
Në fund, kompania ka ftuar bizneset që të konfirmojnë pranë saj numrin e punonjësve, qarkullimin vjetor dhe njësitë/matësit në shfrytëzim, në mënyrë që procesi i kalimit në tregun e hapur të realizohet pa pengesa.
/Telegrafi