Search

Eurostat: Era dhe uji kanë siguruar më së shumti rrymë nga burime të ripërtëritshme në 2019

January 11, 2021


Sipas të dhënave të reja të publikuara nga zyra e statistikave e Bashkimit Evropian, Eurostat, në vitin 2019 burimet e ripërtëritshme të energjisë përbënin 34 për qind të konsumit bruto të energjisë elektrike në BE, pak më shumë se 32 për qind sa ishte në 2018.

Era dhe energjia nga uji kanë siguruar më shumë se dy të tretat e energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e ripërtëritshme (me nga 35 për qind).

Pjesa tjetër e energjisë së ripërtëritshme është prodhuar nga energjia solare (13 për qind), biokarburantet e ngurta (8 për qind) dhe burime tjera të ripërtëritshme (9 për qind).

Energjia solare është burimi me rritjen më të shpejtë, në vitin 2008 ky burim i energjisë siguronte vetëm 1 për qind.

Ndër vendet anëtare të BE-së, konsumi i energjisë elektrike të prodhuar nga burime të ripërtëritshme ishte më i larti në Austri me 75 për qind dhe Suedi me 71 për qind.

Konsumi i energjisë elektrike nga burime të ripërtëritshme ishte i lartë edhe në Danimarkë (65 për qind), Portugali (54 për qind) dhe Latvi (53 për qind).

Konsumi më i vogël i energjisë elektrike të prodhuar nga burime të ripërtëritshme ishte shënuar në Maltë, Qipro, Luksemburg dhe Hungari.