Është raportuar për aksident në objektin e Trepçës
June 09, 2025

Javën e kaluar u raportua për një aksident në Trepçë.
“Më datë 04.06.2025, rreth orës 10:15, ka ndodhur një incident teknik i lehtë gjatë procesit të zbrazjes së hirit nga një cisternë transportuese në ambientet operative të Trepça Sh.A.” kanë njoftur për mediat nga Trepça.
Sipas këtij njoftimi shkaktarë i këtij incidentit ka qenë dëmti i kapakut të një kamioni transportues. Nga i cili ka dalë një sasie të vogël hiri në sipërfaqe dhe krijimin e një shtrese pluhuri para objektit.
Fatmirësisht, nuk është raportuar asnjë lëndim dhe asnjë dëm material. Pas ndërhyrjes teknike, pajisja është rikthyer në funksion të rregullt dhe puna ka vazhduar normalisht.
Përkundër vështirësive të tjera punëtorë e Trepçës po ankohen se në këtë ndërmarrje janë duke u bërë diskriminime lidhur me pagat.
Një punëtor i kësaj ndërmarrjeje, që identitetin kërkoi ta mbante të fshehur, tha se ka mbetur në gjendje të keqe financiare për festën e Kurban Bajramit për shkak se nuk i ka dalë paga në konto.
Ai tha se menaxhmenti dikujt ia ka transferuar pagën, e dikujt jo.
“Po bëjnë ndarje, dikujt i kanë dhënë rrogën, e dikujt jo. Madje edhe ata që i kanë paguar, i kanë dhënë vetëm gjysmën e rrogës”, tha ai.

Puntorët e minierës së Kishnicë tre muaj pa rroga – Këtij problemi nuk po i dihet fundi
Ky punëtor tha se muajin e kaluar, një pjesë e punëtorëve kanë mbajtur grevë për të shprehur pakënaqësitë e tyre pikërisht për këtë çështje.
E pikërisht për këtë çështje, ai pretendon se kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes, Faton Ahmeti, i ka kërcënuar punëtorët që kanë marrë pjesë në atë grevë, duke iu thënë, sipas tij, se do të mbeten pa paga.
Drejtori i Burimeve Njerëzore në ndërmarrje, Besim Xhemajli, për çështjen e pagave konfirmoi se ka vonesa në paga dhe tha se kjo gjendje po vazhdon në 5-6 muajt e fundit për shkak të telasheve me mjete buxhetore.
Ndërkaq, lidhur me atë se pse disa punëtorë janë paguar e të tjerë jo, Xhemajli e hodhi gurin drejt kryeshefit, Ahmeti. Ai tha se kjo është çështje buxhetore me të cilën merret kryeshefi ekzekutiv, i cili, sipas Xhemajlit, vendos se cilës njësi t’u lëshohen pagat në bazë të prioriteteve.
Kryeshefi Ahmeti është pyetur për çështjen e kërcënimit të pretenduar nga punëtorët, por ai nuk e pranoi t’i ketë kërcënuar ata, por deklaroi se vetëm i ka zbatuar “procedurat ligjore”.
“Në këtë rast nuk e di çfarë është duke trajtuar si kërcënim. Nëse e trajton zbatimin e procedurave ligjore si kërcënim, nuk di çfarë të them në këtë rast”, tha shkurtimisht Ahmeti, për Klan Kosova.
Sipas asaj që është mësuar jozyrtarisht, vetëm punëtorët e “Stan Tërgut” po i marrin pagat me rregull.
Problemet financiare janë duke e përcjellë “Trepçën” pothuajse vazhdimisht viteve të fundit. Korrikun e vitit të kaluar, punëtorët e kombinatit metalurgjik Trepça e patën ndërprerë punën në shenjë pakënaqësie për çështjen e pagave.
/Telegrafi