Search

Energjia elektrike ‘e anashkaluar’ në buxhetin për vitin 2023

21 Nëntor, 2022


Asnjë fjalë nuk u dëgjua për parashikimet buxhetore në vitin 2023 për të nisur ndonjë projekt të ri elektroenergjetik në Kosovë, qoftë në bazë të qymyrit, qoftë të energjisë së rinovueshme, aq të nevojshëm për këtë vend. Prandaj, menjëherë pas bërjes publike të zërave të buxhetit nga kreu i Qeverisë, nuk rreshtën zëra, edhe ekspertësh, edhe njohësish të zhvillimeve energjetike, analistësh, duke shtruar pyetje pse u anashkalua energjetika kaq ashpër dhe kaq vrazhdë nga Buxheti 2023, kur dihet se sa nevojë imediate ka vendi për kapacitete të reja elektroenergjetike.

Po të vështrosh numrat në Projektligjin për buxhetin 2023, duket goxha imponues ky buxhet, ndërsa edhe rritja e tij krahasuar me buxhetin e këtij viti është e vërejtshme dhe evidente. Madje, kryeministri, Albin Kurti gjatë prezantimit të Projektbuxhetit për vitin 2023, ka thënë se ky do të jetë buxheti më i lartë i prezantuar deri më tani.

“Buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro, kurse të hyrat buxhetore do ta arrijnë vlerën e 2 miliardë e 884 milionë euro. Kemi ndarë 745 milionë euro në kategorinë e pagave dhe mëditjeve, 493 milionë euro në mallra dhe shërbime, 1.93 miliard euro në subvencione dhe transfere dhe 811 milionë euro në shpenzime kapitale”, tha Kurti gjatë seancës plenare ku u miratua Projektligji i Buxhetit, duke radhitur pastaj një vistër të tërë sektorësh ku do të orientohen paratë buxhetore gjatë 2023-shit.

Dhe krejt në fund të fjalës së vet, kryeministri u përkujtua se ky vend ka nevojë të ketë para të dedikuara edhe për përballjen me krizën energjetike, që ka lëshuar rrënjë tash e sa kohë, duke shtuar se “mbështetjen e Bashkimit Evropian do t’i kemi edhe 75 milionë euro të tjera për ta përballuar krizën energjetike”. Kaq ishte e gjitha. Asnjë fjalë nuk u dëgjua për parashikimet buxhetore për të nisur ndonjë projekt të ri elektroenergjetik në Kosovë, qoftë në bazë të qymyrit, qoftë të energjisë së rinovueshme, aq të nevojshëm për këtë vend.

Prandaj, menjëherë pas bërjes publike të zërave të buxhetit nga kreu i Qeverisë, nuk reshtën zëra, edhe ekspertësh, edhe njohësish të zhvillimeve energjetike e analistë, duke shtruar pyetje pse u anashkalua energjetika kaq ashpër dhe kaq vrazhdë nga Buxheti 2023, kur dihet se sa nevojë imediate ka vendi për kapacitete të reja elektroenergjetike, qoftë në bazë të qymyrit, qoftë sosh të energjisë së ripërtëritshme.

Në fakt edhe gjatë seancës, subjektet opozitare, sidomos PDK-ja dhe LDK-ja, patën shumë kritika lidhur me Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, e sidomos për lënien anash të parashikimeve buxhetore për të pasur, ose për të nisur ndonjë kapacitet të ri të prodhimit të rrymës.

Sipas deputetit të LDK-së, Besian Mustafa “s’është ndarë asnjë cent për rritjen e kapaciteteve gjeneruese të energjisë elektrike, edhe pse Kosova ndodhet në krizë energjetike”.

Pati edhe deputetë nga partia në pushtet, që kritikuan ekzekutivin për orientimin e mjeteve buxhetore në disa fusha, duke kërkuar që disa kategori të trajtohen si të veçanta në buxhetin e ri. Haki Abazi, bie fjala, u tregua kritik ndaj Qeverisë edhe për mospasjen e një strategjie për çështjen e energjisë.

Pos përplasjeve në Kuvendin e Kosovës, pozita dhe opozita janë “përplasur” edhe virtualisht në rrjetet sociale. Abdullah Hoti i LDK-së, ka ironizuar jo pak me ndarjet e mjeteve buxhetore për vitin vijues. Ndërsa, nuk ka vonuar shumë dhe kundërreagimi i ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Hoti ka thënë se “është fatkeqësi të miratojmë buxhetin kur s’kemi strategji të energjisë së miratuar”.

“Viti i ardhshëm s’duhet të na gjejë në këtë gjendje. Kemi humbje shumë të mëdha edhe në shfrytëzim, edhe shpërndarje. Nuk ka kuptim që Kosova të mos ketë panele solare në çdo shtëpi e zonë ku është e mundur të përfitojmë nga energjia e erës dhe diellit”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, Kosovës i duhet urgjentisht, apo sa më parë një kapacitet i ri për prodhimin e energjisë elektrike. Një termocentral, ose një e më shumë parqe të energjisë me erë dhe një e më shumë centrale solare, janë të domosdoshme t’i nisë së ndërtuari Kosova një orë e më parë, sot e këtu. Një termocentral i ri me fuqi 400-500 megavatë-orë, ose disa kapacitete gjeneruese të energjisë së rinovueshme janë të domosdoshme për vendin, janë “bukë dhe ujë” për Kosovën, janë mundësi për të nisur zhvillimi ekonomik e shoqëror, janë siguria e shtetit dhe perspektiva dhe ardhmëria e këtij vendi. Këtë fakt duhet ta kenë parasysh autoritetet vendimmarrëse të Kosovës.

Kosovarët e dijnë fare mirë se në shmangien e skenarëve më të këqij të mungesës së energjisë, përveç konsumatorëve duhet të kontribuojë edhe më shumë shteti dhe zinxhiri i kompanive që përbëjnë sistemin elektroenergjetik të vendit. Në këtë kontekst, objektivi kryesor i institucioneve të vendit do të duhej të ishte ndërtimi, ose së paku nisja e ndërtimit të kapaciteteteve të reja elektroenergjetike, qoftë nga qymyri, qoftë sosh të rinovueshme dhe pastaj reduktimi i konsumit të përgjithshëm, përmes stimulimit të kursimit të energjisë dhe rritjes së efiçencës energjetike. Thënë më saktë, Kosova kaherë ka nevojë imediate për të pasur kapacitete të reja prodhuese të energjisë elektrike. Një termocentral i ri, pra një kapacitet elektroenergjetik në bazë të qymyrit 400-500 megavatësh, është bërë domosdoshmëri, sidomos pas shfaqjes së krizës së ashpër elektroenergjetike në botë, që nuk e kurseu as vendin tonë, ose rindërtimi i tërësishëm i termocentraleve Kosova A (tri njësive të saj–A3, A4 dhe A5, siç ishte parashikuar para dy vjetësh, gjegjësisht qëkur nisi qeverisjen e vendit Qeveria Kurti 1).

Natyrisht, krahas një kapaciteti të ri elektroenergjetik, ose rindërtimit të termocentraleve të stërvjetruara të Kosovës A, vendimmarrësit duhet të vazhdojnë të preokupohen njësoj edhe për të shtuar kapacitetet e energjisë së rinovueshme, njësoj siç tashmë i kanë shpërfaqur synimet dhe vizionet edhe në Strategjinë energjetike 2022-2031. Por, kriza e egër elektroenergjetike, tashmë ka shtuar zërat ndër ekspertët, analistët dhe njohësit e zhvillimeve energjetike, që flasin edhe në favor të ndërtimit, ose rivitalizimit rrënjësor të termocentraleve “Kosova A”, në vend të përcaktimit për të ndërtuar një termocentral fare të ri të kapacitetit rreth 500 megavatësh, për të plotësuar më shpejtë nevojat gjithnjë e në rritje të konsumit të Kosovës për energji elektrike. Dhe, duhet thënë se po të sheshohet seriozisht mundësia e realizimit të këtyre projekteve aq të nevojshme për funksionimin normal të shtetit tonë, do të bëhej fare e dukshme se Kosova dhe përkundër brishtësisë së saj dhe problemeve evidente të mungesës së parasë, ka pasur parakushtet për t’ia nisur ndërtimit të ndonjërit nga këto projekte.

Me fjalë të tjera, ka mundur edhe në rrethanat e krijuara nga post-Covidi dhe nga kriza globale energjetike, të bëjë shumë më shumë për të pasur, ose së paku për të nisur një projekt të ri elektroenergjetik, cilindo qoftë nga ato të sipërpërmendurat. Qeveria aktuale me një vendosmëri më të madhe dhe me një përkushtim më serioz, gjithsesi, ka pasur të gjitha parakushtet për të nisur ndonjë kapacitet energjetik edhe nga burimet e rinovueshme, siç u proklamua në vazhdimësi në këtë periudhë. Për një kapacitet 100 megavatësh, ose edhe më shumë sosh, qoftë nga era, qoftë nga energjia solare, Kosova ka pasur të gjitha mundësitë vetjake që së paku ta nisë në këtë vit, e pse jo edhe ta finalizojë ndonjë projekt të energjisë solare, për çka parashihet më pak kohë për ta realizuar, por edhe me më pak mjete financiare se sa bie fjala një kapacitet me kapacitet përafërsisht të njëjtë me energji nga era.

Pa shumë kalkulime dhe fare lehtësisht ka mundur sivjet të realizohet, bie fjala propozimi nga ana e KEK-ut dërguar në Ministrinë e Ekonomisë, për ndërtimin e një parku solar 100 megavatësh në një nga ish-deponitë e ‘Kosovës A’. Nga ekspertët e KEK-ut, vlerësohej se nëse jo i gjithë kapaciteti, gjysma e tij do të ishte gati, gjithsesi, brenda një viti. Prandaj, po të kishte më shumë vendosshmëri, vizione, projekte dhe nisma konkrete, mundësitë janë këtu. Mundësi ka, pra. Ka edhe hapësira e sipërfaqe toke tjera në Kosovë, të lëna djerrë, që fare lehtë do të bëheshin troll i përshtatshëm për energji solare, sikundër që ka goxha vende, madje të identifikuara për energji në bazë të erës. Edhe paratë, nëse do të mungonin, ka shumë rrethana favorizuese për t’i gjetur ato, për të gjetur investitorë potencialë dhe që nuk hamenden edhe aq shumë kur është fjala për kapacitete të energjisë së rinovueshme.

Dihet, Parku i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës me fuqi 105 megavatësh dhe me 27 turbina, është ndërtuar për dy-tre vjet e shumta, dhe me një kosto diku 180 milionë euro, që do të thotë se për të janë investuar më pak mjete financiare se sa qeveria është duke dedikuar për zgjidhjet momentale të krizave energjetike, ose për blerjen e përkohshme të energjisë së munguar elektrike. Ndërkohë, kapaciteti energjetik në bazë të diellit, i inicuar nga KEK-u për t’u ndërtuar në tokën djerrë (deponinë e madhe sa një kodër e tërë e krijuar nga hiri i qymyrit të djegur në termocentralet tona) me goxha fuqi (100 megavatë, qoftë edhe energji solare nuk është pak), siç u tha më lartë, do të ndërtohej ndjeshëm me më pak para se kompleksi i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës. Kështu, këto janë vetëm një nga mundësitë e shumta për investimet kapitale në Kosovën e varfër dhe me shumë brishtësi financiare.

Pse paraja e parashikuar për investime kapitale bie fjala, në buxhetin e sivjetshëm të Kosovës, e cila tashmë është shfrytëzuar vetëm 9 për qind, mos të investohet në pasjen e kapaciteteteve të reja elektroenergjetike, cilido qoftë ky kapacitet, qoftë nga era, me diell, ndërtimi i një termocentrali të ri, apo rindërtimi i tërësishëm i Kosovës A?

Mjetet e parapara për investime kapitale do të ishin në bazë e mirë për të bërë punë të madhe në ndërtimin e një kapaciteti të ri energjetik. Ndoshta, me shfrytëzimin racional të këtyre mjeteve, ato edhe do të mjaftonin për të finalizuar tërësisht ndonjërin nga projektet e sipërpërmendura, për të cilat ka shumë nevojë Kosova. Kjo është llogaria. Të tjerat hesape, dalin dhe dëshmohen të gabuara. Vendimmarrësit kosovarë, pra duhet të mos prajnë në anjë moment së kërkuari që të vazhdojnë të kenë një kapacitet të ri energjetik, qoftë edhe me thëngjill, duke kërkuar me ngulm lëshime nga BE-ja, që ka synim të ditur botërisht që do ta reduktojë në maksimum ndotjen nga termocentralet prej thëngjillit. Ndryshe, nuk do të prajnë krizat energjetike te ne, as kërkesat për para të shumta nga prodhuesi, furnizuesi dhe shpërndarësi i rrymës dhe kushtimisht do të varfërohemi nga dita në ditë edhe energjetikisht.

Krejt në fund, po të llogariten të gjitha “injeksionet” financiare të Qeverisë për të zbutur sado pak pasojat e rënda të krizave të deritashme elektroenergjetike që përfshinë vendin tonë, del qartë se me ato mjete do të ndërtoheshin dy –tre kapacitete të energjisë së rinovueshme, do të rindërtohej gjithsesi Kosova A tërësisht, ose do të shkonte në gjysmën e punëve ndërtimi i një termocentrali fare të ri. Kjo, pra është llogaria dhe ajo është më e mirë, gjithsesi, se kërkesat e vazhdueshme për të ngritur çmimet e rrymës në Kosovën me 13-14 miliardë rezerva të thëngjillit, ose për të aplikuar reduktimet trishtuese dhe të pamata të rrymës. Prandaj, me Buxhetin e rritur 2023, domosdo do të duhej të parashikohej një shumë solide parash për të ndërtuar, ose së paku për të nisur një kapacitet të ri elektroenergjetik, çfardoqoftë ai, i energjisë elektrike në bazë të qymyrit, apo të energjisë së rinovueshme.

/Buletini Ekonomik