Search

Energjia e nevojës: Siguria energjetike në Ballkanin Perëndimor

03 Gusht, 2022


Shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bashkohen tranzicionit energjetik të BE-së. Ato mund ta bëjnë këtë në disa mënyra.

Një krizë energjetike po afrohet në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa liderët e BE-së përpiqen të ruajnë furnizimet e tyre me energji për dimrin e ardhshëm, të paktën dy shtete të Ballkanit Perëndimor – Maqedonia e Veriut dhe Kosova – do të shpallin një emergjencë energjetike në gusht, në pritje të mungesave gjatë muajve më të ftohtë.

Pandemia e Covid-19 shkaktoi një tronditje të konsiderueshme ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Sipas Bankës Botërore, PBB-ja e vendeve në rajon u tkurr me 3.2 për qind në vitin 2020, përpara se të rikuperohej në 7.4 për qind në vitin 2021. Megjithatë, rritja globale e çmimeve të energjisë po kërcënon rajonin me një gamë të re sfidash ekonomike. Kjo do të thotë se politikëbërësit që punojnë në Axhendën e Gjelbër të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor do të duhet të pajtojnë çmimet në rritje dhe sigurinë e energjisë me qëllimin e mbrojtjes së mjedisit. Kjo do të kërkojë veprime të forta dhe të koordinuara nga qeveritë në rajon, së bashku me një mbështetje të madhe nga Bashkimi Evropian.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka dobësuar sigurinë energjetike tashmë të brishtë të Ballkanit Perëndimor. Rajoni ka përjetuar prej kohësh ndërprerje periodike në dimër. Me përjashtim të Shqipërisë, e cila mbështetet kryesisht në hidrocentralet, shtetet e Ballkanit Perëndimor e marrin pjesën më të madhe të energjisë së tyre nga lëndët djegëse fosile – veçanërisht qymyri. Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut varen kryesisht nga Rusia për gaz natyror, por kjo përbën vetëm një pjesë të vogël të përzierjes së tyre energjetike. Pra, edhe pse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Bosnjës dhe Serbisë, i janë bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, përdorimi i tyre i kufizuar i gazit natyror e pengon Kremlinin të hakmerret kundër tyre duke ndërprerë furnizimin e tyre me energji – veçanërisht duke pasur parasysh se vetëm Serbia ka rinovuar kohët e fundit kontratën e saj me gaz me Rusinë (me një kosto relativisht të ulët). Kjo gjithashtu ndihmon në mbrojtjen e tyre nga ndikimi i drejtpërdrejtë i rritjes së çmimeve të gazit natyror. Megjithatë, çmimet e larta për energjinë elektrike të importuar nënkuptojnë se Ballkani Perëndimor nuk do të dalë nga kriza i padëmtuar. Disa shtete në rajon janë të ndjeshme ndaj këtyre kostove në rritje – veçanërisht me afrimin e dimrit dhe rritjen e kërkesës për energji.

Që shtetet e Ballkanit Perëndimor të kenë siguri energjetike, atyre do t’u duhet të drejtohen drejt BE-së dhe t’u përmbahen rregulloreve dhe politikave të bashkimit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në lidhje me axhendën e gjelbër, një pjesë qendrore e së cilës është kalimi në energjinë e rinovueshme.

Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet gjithashtu të diversifikojnë zinxhirët e tyre të prodhimit dhe furnizimit të energjisë. Për ta arritur këtë, ata duhet të punojnë me BE-në për të formuluar qasje novatore dhe specifike për vendin ndaj tranzicionit të gjelbër – të mbështetur nga vullneti politik dhe mbështetja institucionale. Në fakt, duke nënshkruar Deklaratën e Sofjes, ata tashmë janë zotuar ta bëjnë këtë.

Shumica e shteteve në Ballkanin Perëndimor mbështeten kryesisht në termocentralet me qymyr për të plotësuar nevojat e tyre për energji. Përdorimi i këtyre impianteve rrezikon aftësinë e tyre për të përmbushur angazhimet e përshkruara në Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane – një prej të cilave është një reduktim 55 për qind i emetimeve të karbonit (krahasuar me nivelet e vitit 1990) deri në vitin 2030. Megjithatë, duke pasur parasysh presionin e menjëhershëm të krizës energjetike, këto vende do të duhet të vazhdojnë djegien e qymyrit në afat të shkurtër. Në të vërtetë, Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë njoftuar tashmë se do të vonojnë planet për të hequr gradualisht termocentralet e tyre me qymyr gjatë viteve të ardhshme.

Për t’i mbijetuar krizës energjetike, shtetet e Ballkanit Perëndimor do të duhet gjithashtu të përmirësojnë bashkëpunimin e tyre me njëri-tjetrin në kuadër të procesit të Berlinit. Ata mund ta bëjnë këtë duke përgatitur propozime të përbashkëta investimi në energjinë e rinovueshme dhe integrimin e tregjeve të energjisë elektrike dhe gazit.

Dokumenti REPoëerEU i Komisionit Evropian përshkruan një plan prej 300 miliardë eurosh për të shkurtuar varësinë e BE-së nga lëndët djegëse fosile ruse me dy të tretat deri në fund të vitit 2022 dhe për të mos importuar fare energji ruse deri në fund të vitit 2030. Kjo strategji shënon një ndryshim historik në qasjen e unionit ndaj çështjeve të energjisë. Do të ketë një ndikim të rëndësishëm në sektorin energjetik të Ballkanit. Plani fokusohet në përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër dhe diversifikimin e furnizimit nëpërmjet investimeve në terminalet e gazit natyror të lëngshëm dhe infrastrukturën tjetër të gazit.

Prandaj, Ballkani mund të bëhet një korridor i rëndësishëm transporti për furnizimet me energji të Evropës – veçanërisht gazin natyror – në afat të mesëm. Kjo është veçanërisht e vërtetë për tubacionet e ndryshme të gazit që mund të lidhin vendet anëtare të BE-së me vendet në Detin Kaspik, si Azerbajxhani, dhe me interkonjeksionin Greqi-Bullgari që është planifikuar të bëhet funksional këtë verë. Ekziston gjithashtu një terminal i planifikuar i gazit natyror të lëngshëm në Aleksandropolis, i cili do të lidhet me Gazsjellësin Trans Adriatik dhe duhet të bëhet funksional në vitin 2023.

Në planin afatgjatë, plani REPoëerEU duhet të promovojë eficensën e energjisë dhe të përshpejtojë tranzicionin e unionit drejt burimeve të rinovueshme të energjisë. Shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i bashkohen BE-së në këtë rrugëtim duke investuar në burime të rinovueshme (veçanërisht hidrocentrale) dhe ndërlidhës ndërkufitarë, dhe – siç u diskutua – duke u përafruar me legjislacionin e BE-së për energjinë.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell dhe nënkryetari i Komisionit Evropian, Frans Timmermans, kanë argumentuar me të drejtë se “ndërsa ne përshpejtojmë tranzicionin nga një ekonomi e bazuar në hidrokarbure në një ekonomi të qëndrueshme të bazuar në energjinë e rinovueshme, ne nuk mund të jemi të verbër ndaj… efektet gjeopolitike”. Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë vetëm tregje të vogla energjie. Por, për shkak të afërsisë së tyre me BE-në, ato mund të jenë vendimtare për politikën energjetike të unionit. Kjo është arsyeja pse BE-ja duhet të synojë t’i japë fund monopolit të gazit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor – pavarësisht nga roli relativisht i vogël që luan gazi natyror në përzierjen energjetike të rajonit.

Për më tepër, BE-ja duhet të ndërtojë rrjete transporti për gazin dhe naftën bruto në Ballkan. Rrjete të tilla do të jenë kyçe në garën gjeopolitike midis Perëndimit dhe Rusisë. Është koha e fundit që BE të paraqesë një koncept të guximshëm dhe gjithëpërfshirës të sigurisë së energjisë për të gjithë Evropën Juglindore.

Shkrim nga Engjullushe Morina për Këshillin Evropian për Marrëdhënie të Jashtme (ECFR)/ Përkthyer dhe përshtatur në shqip nga Kosovo.Energy.