Energjia diellore po kthehet në faktor kyç për të ardhmen
07 Gusht, 2024
Energjia diellore, një burim energjie gjithnjë e më i lirë, do të jetë kyç për të ardhmen.
Një qelizë fotovoltaike është diçka shumë e thjeshtë: një copë silici në formë katrore, zakonisht 182 milimetra e gjatë dhe rreth një e pesta e milimetrit e trashë, me tela të hollë në pjesën e përparme dhe një kontakt elektrik në anën e pasme.
Nëse shkëlqeni dritë mbi të, përgjatë silicit do të krijohet tension elektrik. Nëse lidhet një qark mes pjesës së përparme dhe të pasme, nën veprimin e rrezeve të diellit, mund të prodhohen rreth shtatë vat energji elektrike.
Këtë vit, bota do të prodhojë rreth 70 miliardë qeliza të tilla fotovoltaike. Shumica e tyre do të prodhohen në Kinë. Ato do të vendosen midis fletëve të xhamit për të prodhuar ato që industria e energjisë diellore i quan “module”, dhe që në jetën e përditshme i quajmë “panele diellore”.
Për panelet e banesave nevojiten 60 deri në 72 qeliza fotovoltaike, ndërsa për panelet e përdorura për impiante komerciale, nevojiten shumë më tepër. Këto panele do të sigurojnë energji për shtëpitë, për qendrat lokale të energjisë elektrike, pikat industriale dhe për rrjetet e mëdha elektrike.
Ato vendosen nëpër çati, në zonat e jashtme pranë shkollave rurale, nëpër shkretëtirat e pacenuara, në ballkonet e blloqeve të banesave, dhe pothuajse në çdo mjedis tjetër që mund të përfytyrohet.
Pasi instalohen në vendin e dëshiruar, panelet do të qëndrojnë aty për dekada, duke mos bërë zhurmë, duke mos lëshuar tym, duke mos shpërdoruar burime, duke mos kushtuar pothuajse asnjë cent, dhe vetëm duke krijuar energji. Ky është revolucioni më pak i zhurmshëm që mund të përfytyrohet. Por sidoqoftë, është një revolucion.
Gjatë vitit 2023, qelizat diellore apo fotovoltaike të vendosura në panele diellore, që tani për tani mbulojnë më pak se 10,000 kilometra katrorë, prodhuan rreth 1,600 teravat/orë energji elektrike (një teravat, ose 1 TW, është i barabartë me një trilion vat), shkruan The Economist.
Kjo përfaqësonte rreth 6% të energjisë elektrike të prodhuar në mbarë botën dhe pak më shumë se 1% të energjisë për përdorim parësor në botë.
Ajo që e bën energjinë diellore revolucionare, është ritmi i rritjes që e solli atë në këtë nivel. Michael Liebreich, analist i teknologjisë dhe ekonomisë së energjisë së pastër, e përmbledh në këtë mënyrë: në vitin 2004, botës ju desh një vit i tërë për të instaluar një kapacitet prej një gigavat në energji diellore (1 GW është i barabartë me një miliardë vat, ose një e mijta e një teravati); në vitin 2010, u desh një muaj; në vitin 2016, u desh vetëm një javë.
Gjatë vitit 2024, analistët në grupin e të dhënave BloombergNEF, parashikojnë se do të arrihet të instalohet një kapacitet prej 520-655 GW: pra, në një ditë të vetme, sa dyfishi i kapacitetit të prodhuar në gjithë vitin 2004.
Kjo rritje e jashtëzakonshme ka ardhur nga ndërveprimi i tre faktorëve të thjeshtë. Kur industritë prodhojnë më shumë nga diçka, ato e bëjnë atë më të lirë. Kur gjërat bëhen më të lira, kërkesa për to rritet. Dhe kur kërkesa rritet, prodhohet më shumë.
Në rastin e energjisë diellore, për një kohë të gjatë në fillim të këtij shekulli, kërkesa u krijua dhe u mbështet nga subvencionet shtetërore, më pas rënia e çmimeve u bë e dukshme dhe e parashikueshme. Përgjigjet pozitive që nxisin rritjen eksponenciale të kërkesës, u rritën në shkallë globale.
Dhe nuk ka shenja ndalimi apo ngadalësimi. Blerja dhe instalimi i paneleve diellore tani është kategoria më e madhe e investimit në prodhimin e energjisë elektrike, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), një think-tank ndërqeveritar: në këtë industri priten të investohen 500 miliardë dollarë këtë vit, e ngjashme me shumën që do të investohet në naftë dhe gaz.
Kapaciteti i instaluar dyfishohet çdo tre vjet. Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Energjisë Diellore, energjia diellore pritet të prodhojë më shumë energji elektrike se të gjitha termocentralet bërthamore të botës në vitin 2026, më shumë sesa turbinat me erë në vitin 2027, sesa digat e hidrocentraleve në vitin 2028, sesa termocentralet me gaz në vitin 2030 dhe ato me qymyr në vitin 2032.
Sipas agjencisë IEA, nëse arrihet eliminimi i emetimit të dioksidit të karbonit nga mesi i shekullit, energjia diellore do të bëhet burimi më i madh i njerëzimit për energji parësore, deri në vitet 2040.
/Katror.info