Search

Ende pa arritur dimri rrjeti mbingrakohet – KOSTT paralajmëron reduktime të mundshme të energjisë

December 23, 2025


Duke njoftuar se më 17 Dhjetor piku i konsumit të energjisë ka arritur në 1468MWh, KOSTT-i paralajmëroi mundësinë e reduktimeve dhe kërkoi nga qytetarët që të kursejnë. Kjo situatë, nga njohës të sektorit, vlerësohet është pasojë e mungesës së investimeve në rrjet dhe në kapacitete prodhuese.

Pak ditë pa nisur stina e dimrit, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut , KOSTT, paralajmëroi mundësinë e “reduktimeve” në furnizimin me energji elektrike, duke thënë se diçka e tillë mund të imponohet nga mbingarkesa.

Teksa njoftoi se konsumi i energjisë ka shënuar rritje prej 14.33% dhe se piku veçse ka arritur në 1468MWh, KOSTT-i kërkoi nga qytetarët që të “kursejnë dhe zhvendosin konsumin” në orë tjera, përtej intervaleve 16-20:00 dhe 22-23:00.

Këtë situatë dhe mundësinë e përkeqësimit të saj, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë Ismet Mulaj e lidhi me mos-përmbushjen e obligimeve nga operatorët e licencuar në sektorin e energjisë.

“Kjo ka ardhur si pasojë e investimeve jo të bollshme në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, si atë në domenin e KOSTT-it ashtu dhe atë të KEDS-it”, ka thënë Ismet Mulaj, Ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë.

Teksa në këtë kontekst përmendi edhe mungesën e investimeve për kapacitet të reja prodhuese të rrymës, Mulaj tha se pasojat e dështimit të akterëve rregullues i vuajnë qytetarët.

“Ndoshta për mungesë të kapacitetit, ndoshta për jo-profesionalizëm, ose në raste të caktuara edhe për favorizim të operatorëve në treg, realisht kanë krijuar një lloj problematike të jashtëzakonshme, që qytetarët, konsumatorët në Kosovë sot, edhe nuk kanë energji të bollshme, edhe cilësia e energjisë nuk është e ajo që kërkohet, por edhe fatura ju vjen shumë e lartë”, ka thënë  Ismet Mulaj, Ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë.

/TV Dukagjini