Emërohet Trim Tërnava si kryeshef i KOSTT
January 26, 2026

Bordi i Drejtorëve të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, KOSTT, ka emëruar zyrtarisht Trim Tërnavën në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të ndërmarrjes.
Sipas njoftimit të KOSTT, vendimi është marrë njëzëri në mbledhjen e Bordit të mbajtur më 19 janar 2026, pas zhvillimit të një procesi transparent dhe konkurrues, në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.
“Pas zhvillimit të një procesi transparent dhe konkurrues, Bordi i Drejtorëve i KOSTT Sh.A., njëzëri ka emëruar z. Trim Tërnavën Kryeshef Ekzekutiv të KOSTT Sh.A.”, thuhet në njoftim.
Sipas KOSTT-së, Tërnava do ta nisë detyrën më 16 shkurt 2026.
Në njoftim theksohet se Tërnava ka përfunduar studimet master në Ekonomi të Energjisë në Rice University në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa studimet themelore në Inxhinieri Elektrike në Universitetin e Prishtinës.
“Z. Trim Tërnava ka përgatitje të avancuar akademike dhe profesionale në sektorin e energjisë, me fokus në ekonominë e energjisë, zhvillimin e tregut të energjisë, tranzicionin energjetik dhe proceset e integrimit rajonal dhe evropian”, thuhet më tej në njoftim.
Po ashtu, KOSTT bën të ditur se Tërnava ka mbi një dekadë përvojë profesionale dhe udhëheqëse në sektorin e energjisë dhe synon forcimin e rolit të KOSTT-së në arritjen e objektivave strategjike.
“Ai synon forcimin e rolit të KOSTT në arritjen dhe avancimin e objektivave strategjike të shoqërisë, duke theksuar operimin e sigurt, të qëndrueshëm dhe të besueshëm të Sistemit të Transmetimit dhe Tregut të energjisë elektrike”, thuhet në fund të njoftimit.
Kush është Trim Tërnava?
Trim Tërnava është një konsulent dhe sipërmarrës me përvojë në energjinë e ripërtëritshme me ekspertizë të gjerë në zhvillimin e projekteve, studimet e fizibilitetit dhe këshillimin rregullator.
Ai ka përfunduar masterin në Ekonominë e Energjisë në Universitetin Rice në Hjuston, SHBA, ku është specializuar në tregjet e energjisë, politikat dhe strategjitë e investimeve.
Si Drejtor Ekzekutiv dhe Partner Menaxhues i Energy Service LLC, Trimi ka udhëhequr projekte të shumta të energjisë diellore dhe sistemeve të baterive në shkallë të gjerë, duke mbështetur klientët në proceset teknike, financiare dhe lehtësuese, ndërsa ka nxitur tranzicionin e rajonit drejt energjisë së pastër.
/Telegrafi