Search

“Elektroseveri” s’i nënshtrohet ZRRE-së për tarifat e rrymës

12 Shkurt, 2024


Kompania serbe “Elektrosever” do të caktojë vetë çmimin e tarifave të rrymës për banorët e veriut të Kosovës, të cilët nga 1 janari ka nisur t’i furnizojë me rrymë. Nga Qeveria e Kosovës nuk janë në dijeni se “Elektroseveri” nuk i nënshtrohet Zyrës së Rregullatorit sa u përket tarifave për faturim të rrymës.

Kompania serbe “Elektrosever” do t’i caktojë vetë tarifat e energjisë elektrike për banorët e komunave me shumicë serbe në veri, e cila nga janari ka nisur furnizimin e tyre me rrymë. Por, për shkak të problemeve teknike me njehsorët, faturimi i energjisë nuk u është bërë ende të gjithë banorëve. Si pasojë e kësaj, përfaqësues të “Elektroseverit” në një takim të një jave më parë me përfaqësues të Komunës së Mitrovicës së Veriut kanë përmendur edhe faturimin paushall të energjisë.

E në Zyrën e Kryeministrit thanë se pajtohen me çfarëdo forme të faturimit të energjisë që është nën rregullimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), pa e ditur se “Elektroseveri” ka autonominë e vendosjes së tarifave dhe nuk i nënshtrohet rregullimit nga ZRRE-ja.

“Qeveria përkrah çdo metodologji të faturimit, e cila është në përputhje me rregullat për kushtet e përgjithshme për furnizim me energjinë elektrike nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Prandaj, nëse faturimi është në përputhje me këto rregulla e përcakton Zyra e Rregullatorit”, është thënë në një përgjigje të Qeverisë.

Në një përgjigje për KOHËN, ZRRE-ja ka konfirmuar se “Elektroseveri” mund të caktojë vetë çmimin e tarifave të rrymës për banorët që i furnizon, pa lejen e Rregullatorit, bazuar në Marrëveshjen e Brukselit për Energjinë.

“Në licencën e lëshuar nga ZRRE-ja për ‘Elektrosever’ nuk është vendosur detyrimi për ofrimin e shërbimeve në kuadër të Shërbimit Universal, rrjedhimisht ‘Elektrosever’ nuk ka detyrime ligjore për t’iu nënshtruar rregullimit të tarifave nga ZRRE-ja”, është thënë në përgjigje.

Tarifat aktuale të përcaktuara nga ZRRE-ja për pjesën e vendit, pa përfshirë veriun, janë 3.34 deri në 7.79 centë për kilovat për ata që shpenzojnë më pak se 800 kilovatë në muaj, kurse ata që kalojnë bllok-tarifën, kilovati më pas u faturohet nga 6.81 deri në 14.45 centë.

Që nga paslufta, banorët në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq nuk kanë paguar për energjinë elektrike që e kanë shpenzuar. Përgjegjëse për sigurimin e energjisë elektrike të banorëve të veriut ka qenë Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT. Pas licencimit të “Elektroseverit” nga ZRRE-ja, kjo kompani ka për detyrë furnizimin, faturimin dhe mbledhjen e borxhit.

Por, në veri ende nuk është faturuar energjia e shpenzuar nga janari për të gjithë konsumatorët, si pasojë e mungesës së njehsorëve. Në mënyrë që të bëhet faturimi ka qenë e paraparë që të bëhet investim në njehsorë në dy faza. Të parën, KEDS-i, si operator i autorizuar për shtrirje të rrjetit atje, e ka përfshirë në “Aplikimin për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2024” që ia kishte dorëzuar ZRRE-së në fund të janarit. E për fazën e dytë të investimit nga institucionet si KEDS e edhe nga Qeveria është thënë se BE-ja ka shprehur interesim.

Por, nga BE-ja nuk e kanë konfirmuar se do ta implementojnë këtë donacion, çka për pasojë do të ketë, bartjen e kostos së njehsorëve të rinj në faturat e banorëve veriorë. Sipas KEDS-it në veri janë rreth 20 mijë konsumatorë.

/Koha.net