Search

Ekonomia në vend fillon të shfaq efektet e rritjes së çmimit të energjisë dhe liberalizimit të tregut – Dhoma e Tregtisë e cilëson situatën negative

September 02, 2025


Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë kërkon nga institucionet që të rishqyrtojnë politikat aktuale të çmimeve të energjisë dhe të ndërmarrin masa urgjente për të mbrojtur bizneset e konsumatorët, pas ngritjes së çmimeve të prodhimit si pasojë e shtrenjtimit të rrymës dhe liberalizmit të tregut të energjisë.

Në një komunikatë për media thuhet se paralajmërimet e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë për rritje të çmimeve të produkteve shkaku i rritjes së çmimit të energjisë 16.1%, po ashtu edhe liberalizmit të tregut të energjisë, tashmë po vërtetohen edhe nga institucionet përgjegjëse.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë për ngritje të çmimeve të prodhimit 4.1% për tremujorin e fundit prill, maj, qershor 2025.

Sipas ASK-së, ngritjet më të mëdha janë tek:

  • Energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (16.7%);
  • Shtypja dhe riprodhimi i mediave të incizuara (9.3%);
  • Prodhimi i veshjeve (6.7%);
  • Prodhimi i mjeteve motorike (të transportit), rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove (4.2%);
  • Prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve (2.5%);
  • Prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës (1.6%);
  • Prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara -thurëse (1.4%);
  • Përpunimi i produkteve ushqimore (0.8%);
  • Nxjerrja e xehes së metalit (0.3%);
  • Prodhimi i pajisjeve elektrike (0.3%);
  • Prodhimi i tekstilit (0.2%);
  • Prodhimi i produkteve të gomës dhe plastikës (0.1%).

DhTIK kishte paralajmëruar se një rritje e tillë e menjëhershme e çmimit të energjisë, e kombinuar me procesin e liberalizimit të tregut, i cili u përcoll me shumë shkelje, do të reflektonte në rritje zinxhirore të kostove të prodhimit dhe, si pasojë, të çmimeve të produkteve për qytetarët.

Këto rritje e bëjnë edhe më të vështirë konkurrueshmërinë e bizneseve vendore dhe rrezikojnë kapacitetin e tyre për të ruajtur vendet e punës.

DhTIK kërkon nga institucionet përgjegjëse që të rishqyrtojnë politikat aktuale të çmimeve të energjisë dhe të marrin masa të menjëhershme për të mbrojtur bizneset dhe konsumatorët nga pasojat e rënda ekonomike.

/Telegrafi