Search

Ejupi: Procesi i përgatitjes së strategjisë së re, shumë jo-transparent

April 22, 2022


Drejtori ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), Burim Ejupi ka thënë se procesi i draftimit të strategjisë së re të energjisë ishte shumë jo-transparent dhe se reagimi i Qeverisë ndaj krizës së çmimeve në sektorin e energjisë ishte i vonshëm.

“Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një strategji të re të energjisë. Procesi është shumë jo-transparent. Ne vetëm mund të flasim mbi diçka që “po flitet”. Është hera e parë që askush nga shoqëria civile nuk ka qenë pjesë e grupit punues. Në të kaluarën kemi qenë pjesë e këtyre grupeve, ku edhe kemi dhënë opinionet tona”, ka thënë Ejupi në emisionin “7 Ditë me Panxhën” në Klan Kosova.

Ejupi: E ardhmja duhet të jetë e gjelbër, dhe kjo të bëhet sa më shpejtë të jetë e mundur

Ai ka ripërsëritur kërkesën që strategjia e re të mos parashikojë investime në kapacitete të reja të linjitit, dhe se Kosova është përcaktuar për dekarbonizim të sektorit të energjisë në vitin 2050, dhe se sa më shpejtë që kjo të arrihet, aq më mirë është për vendin.

Ejupi ka sqaruar se INDEP tashmë e ka cilësuar gazin si burim të mundshëm tranzicional të energjisë.

“Jo thëngjill i ri. Ky thëngjill që është, gazi, BRE-të dhe ngadalë duhet të largojmë njëherë thëngjillin, pastaj gazin… Na duhet një tranzicion sa më i shpejtë”, ka thënë Ejupi.

Gjatë diskutimit, Ejupi kërkoi që Kosova të mos shihet si një ishull i vetëm energjetik, dhe se strategjia e energjisë është dashur të përgatitet në bashkëpunim me disa shtete në rajon.

“Diversiteti është më i miri. Ne kemi kërku të mos ketë investime në kapacitete të reja me linjit. E kemi Kosovën B që prodhon diku rreth 600 megavat energji elektrike që mjafton për energjinë bazë. Gjëja tjetër është që nëse e shofim Kosovën si një ishull të vetëm energjetik, qysh në fillim e kemi gabim. Gabimi është bërë qysh në fillim, strategjia e energjisë duhet me qenë së bashku me dy tre shtete të rajonit”, ka thënë Burim Ejupi në 7 Ditë me Panxhën.

Ejupi: Qeveria u vonua me reagimin ndaj krizës së çmimeve të energjisë elektrike

Në lidhje me krizën, Ejupi tha se nuk kishte krizë të furnizimit me rrymë, por kishte krizë të çmimeve.

“Nëse ka qenë rritje artificiale e çmimeve ose jo, besoj që në vitet në vijim do të marrim vesh më shumë. Fillimisht, ne mundemi me thënë se kriza ndodhi për shkak të erërave të dobta në Gjermani dhe në Evropën veriore, por kjo nuk ka ndikuar në mungesë të energjisë, por në mungesë të çmimeve”, ka thënë Ejupi në ‘7 ditë me Panxhën”.

Sipas Ejupit, kriza në Kosovë u shpërfaq pas rënies së bllokut B2, atëherë kur sistemi energjetik I vendit papritur dhe përnjëherë humbi 300 megavat kapacitete të prodhimit, gjë që ndikoi në rritjen e importeve.

Në vend, Ejupi sqaroi se mungesa e menjëhershme e kapaciteteve të prodhimit u vështirësua edhe më shumë nga rritja e çmimit të rrymës në tregje energjetike dhe rritja e konsumit, që u shkaktua për shkak të mos-planifikimit.

Ejupi: Sipas draft strategjisë, taksa e karbonit fillon zbatimin në vitin 2025

Kryeshefi Ekzekutiv i INDEP, Burim Ejupi ka tërhequr vëmendjen edhe tek taksa e karbonit, për të cilën ka thënë se pritet të fillojë zbatimin në vitin 2025.

“Taksa i vendoset atij që shkakton më shumë karbon, apo që emeton gazëra të CO2. Taksa e karbonit do të fillojë zbatimin edhe në Kosovë. Edhe në draftin e strategjisë së energjisë parashihet të hyjë në Kosovë në vitin 2025. Kjo do të rrisë cmimin e energjisë elektrike”, ka thënë Ejupi.

Ai ka sqaruar se taksa e karbonit do të rrisë çmimin e energjisë elektrike në Kosovë, si dhe do të ndikojë tek eksportuesit, pasi mund të rrisë çmimet e produkteve.

“Taksa më së shumti do të prekë eksportuesit, sepse për cdo eksport në BE duhet të paguhet ekstra taksë e karbonit”, ka thënë Ejupi.

Ejupi beson se për momentin cmimet konkurruese të produkteve të Kosovës janë ndër përparësitë kryesore të eksporteve të Kosovës, dhe nëse taksa e karbonit fillon aplikimin atëherë kjo do të rrisë cmimin e produkteve.