Search

Edhe një rekord tjetër klimatik: Janari 2024, më i ngrohti në histori

12 Shkurt, 2024


Pasi viti 2023 ishte shpallur viti më i ngrohtë në botë, edhe viti 2024 vazhdoi me trend të njejtë të ngrohjes, me janarin e vitit 2024 që ishte më i ngrohti ndonjëherë në botë, sipas Copernicus Climate Change Service.

Në janar 2024 është shënuar temperaturë mesatre globale prej 13.14 gradë celciusëve, duke tejkaluar kështu rekordin e shënuar në janar të vitit 2020 për 0.12 gradë. Temperatura mesatare e shënuar në janar 2024 ishte 1.66 gradë më e lartë se që ishte në nivelet para periudhës së industrializimit, sipas raportit të njejtë.

Krahasuar me periudhat prej 1991 deri më 2020, temperatura në muajin janar në Evropë kanë qenë të ndryshme, me temperaturë të shënuar më të ulët se mesatarja në veri të kontinentit dhe dukshëm më e lartë se mesatarja në jug, raporton Balkan Green Energy News.

Jasht Evropës, temperaturat ishin dukshëm më të larta se mesatarja në veriperëndim të Afrikës, në Lindje të Mesme dhe në Azinë Qendrore, ndërsa ishin më të ulëta se mesatarja në pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara dhe në lindje të Siberisë.

Temperaturë e lartë rekorde e detit në janar

Fenomeni natyror i emëruar El Nino ka filluar zbehjen në pacifikun ekuatorial, por temperaturat e sipërfaqes së detit qëndruan jashtzakonisht të larta, kanë thënë shkenctarët nga C3S.

Temperatura mesatare e sipërfaqes së detit arriti në 20.97 gradë celcius në janar, që ishte temperatura më e lartë ndonjëherë e sipërfaqes së detit e shënuar këtë muaj.

Marrë parasysh këto të dhëna alarmante, Samantha Burgess, zëvendësdrejtoreshë në C3S, ka ritheksuar se jo vetëm që është filluar viti 2024 me temperaturat më të larta të shënuara ndonjëherë, por kjo ndodhi pasi 12 muaj bota kishte përjetuar temperatura që tejkalonin 1.5 shkallë celcius mbi nivelet e shënuara në periudhën para-industriale.

Burgess tha se ulja e shpejtë e emetimeve të gazrave serrë është ndër mënyrat e vetme për të ndaluar rritjen e temperaturave.

Sa i përket të rreshurave, në janar 2024 kishte më shumë të reshura në pjesën më të madhe të Evropës. Më pak të reshura janë shënuar në Spanjë, në pjesën jugore të Mbretërisë së Bashkuar, në Irlandë, lindje të Islandës, në Skandinavi, pjesë të Rusisë veriperëndimore, dhe në Ballkanin lindor.

Jasht Evropës, disa rajone përjetuan të rreshura mbi-mesatare, duke përfshirë perëndimin dhe juglindjen e Shteteve të Bashkuara, pjesë të mëdha të Eurazisë, juglindje të Amerikës Lindore, juglindje të Afrikës, dhe në veri dhe në lindje të Australisë.