EcoZ dhe aktivistët – thirrje për ndalimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Sharrit
July 05, 2024

Malet e Sharrit, ekosistemi e lumenjtë mund të mos duken njëjtë, nëse vazhdohet me ngritjen e hidrocentraleve në zemër të këtij parku kombëtar.
Në këtë park janë ngritur tashmë katër hidrocentrale, sipas aktivistëve të gjelbër në mënyrë të paligjshme, duke rënë ndesh me Ligjet për Mbrojtjen e Parqeve Kombëtare.
Për të ngritur zërin në ruajtje të parkut kombëtar të Sharrit, në Brezovicë, EcoZ në bashkëpunim me Riverëatch, OJQ-të lokale dhe me aktivistët mjedisorë po bëjnë thirrje për heqjen e këtyre strukturave që cenojnë të drejtën e qytetarëve për qasje në ujë të pijes, cenimin e qindra llojeve shtazore dhe bimore, shëruese, mjekuese dhe esenciale për jetën e njeriut.
“Sot jemi mbledhë me lansu kampanjën tonë, të cilën e kemi fillu qysh para një muajit, po sot e kemi edhe thirrjen e dytë me bo, që ka të bëjë me ndalimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Sharrit.
Shkronjat e vendosura në këtë hapësirë janë si një thirrje për institucionet tona, për median ndërkombëtare, për shikuesit, për udhëtarët e ndryshëm, edhe për çdo qytetar të mundshëm të Kosovës, që ta dijë se në Parkun Kombëtar të Sharrit vazhdojnë të jepen lejet për hidrocentralet”, u shpreh Egzona Shala Kadiu, drejtuese EcoZ.
Egzona synon që të shtrijë në Kosovë, fushatën e sukseshme në Shqipëri për mbrojtjen e lumit Vjosa, për të cilin ngriti zërin edhe aktori i Hollywood-it Leonardo Di Caprio. Vjosa u shndërrua në park kombëtar, në mënyrë që të ruhet si ndër lumenjtë e rrallë të egër në Evropë. Por, ironia qëndron se Malet e Sharrit janë park kombëtar, por nuk po i shpëtojnë cenimit nga hidrocentralet.
“Realisht, t’u bazu në faktin që ka pas shumë sukses si kampanjë e tillë e kemi provu që edhe na në Kosovë ta rrisim një lloj aktivizmi qytetar të mjedisit, siç po e shihni edhe plot qytetarë na u kanë bashkangjitë, aktivista kryesisht, të cilët me shpresën dhe me vullnetin që ta shohin parkun e Sharrit pa hidrocentrale kanë ardhë dhe kemi qëndru këtu me ditët tana. Kjo kampanjë është veç fillimi i një rrugëtimi shumë të gjatë tonin që na po mendojmë me bo, derisa të jemi të sigurt që Parku Kombëtar i Sharrit nuk do të ketë hidrocentrale”, shtoi tutje Shala-Kadiu.
E aktivistë nga vende të ndryshme të Kosovës nuk hezitojnë të ngjiten në majën më të lartë të Brezovicës për të treguar ndjeshmërinë që duhet ta kemi secili nga ne për ruajtjen e natyrës.
“Duke e pa që jam e Obiliqit dhe dihet se Obiliqi çfarë ambienti ka, kam dashur që në Kosovë mos të ndodhë si në Obiliq, në tjera pjesë të Kosovës, dhe kam dashtë me u bashkëngjit kësaj iniciative qytetare në aktivizëm, të mbrojmë ambientin dhe vendin ku ne jetojmë e pikërisht ta mbrojmë Sharrin, që është pasuria më e madhe e Kosovës”, u shpreh Zelushe Kelmendi nga Qendra Rinore në Obiliq.
“Arsyeja pse kam ardhë sot nga Peja është duke u nisur nga thënia se pa ujë nuk ka jetë, atëherë, për këtë arsye jam këtu për me i mbrojtë paqet tona kombëtare. Duke marrë parasysh se vendi jonë ka vetëm njëmijë e gjashtëqind metër kub për vit për kokë të banorit, një sasi shumë e vogël, nuk kemi ujë të mjaftueshëm që ne ta fusim në gypa dhe ta humbim. Dhe përveç kësaj, jemi në një park kombëtar, ku është për një arsye pse është shpallur, sepse ka vlera shumë të larta natyrore, duke përfshirë florë, faunë, burime ujore dhe për këtë arsye ne duhet t’i mbrojmë, që të mos i fusim ujin në gypa dhe t’i ruajmë ato”, tha Dijesa Morina nga Lets Do it Peja.
Sipas aktivistëve ndërhyrja e paligjshme në zonën e mbrojtur të parkut duke ndërtuar katër hidrocentrale shkel drejtpërdrejt Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës, i cili ndalon shfrytëzimin ekonomik të të mirave të natyrës – në këtë rast ujin në Parqet Kombëtare, duke shkaktuar dëme serioze në jetën e banorëve vendas dhe duke dëmtuar habitatet natyrore dhe biodiversitetin, të cilat janë shtëpia e specieve të rrezikuara në park.
“Qytetarët duhet të vetëdijësohen edhe duhet ta ruajnë natyrën, se ne vetëm një Kosovë e kemi. E kjo është Kosova jonë që duhet ta mbrojmë na. Na frikë kemi dalë prej luftës edhe jemi t’u e shkatërru vetë.Në radhë të parë janë institucionet që lëshojnë leje në vendin që s’duhet të lëshohet leja dhe e dyta janë ë kompanitë të pandërgjegjshëm, që dojnë me përfitu prej secilit cep të Kosovës, pa marrë parasysh se çfarë pasoja do të bëheshin”, u shpreh Remzi Leka nga Organizata për Mbrojtjen e Mjedisit, “Gjethi”.
Banorët vendas nga zona e Shtërpcës kanë organizuar më shumë se 80 protesta gjatë viteve. Sipas aktivistëve, zëri i tyre u injorua nga institucionet, dhe nuk u ndërmor asnjë veprim në këtë kauzë që 3 vite. Por, shpresë ka se me aktivizëm qytetar gjërat lëvizin në drejtim të duhur.
“Protestat kanë shumë efekt. Shoqëria civile në Republikën e Kosovë është shumë e konsoliduar. Ne jemi një rrjet i organizatave joqeveritare. Kjo kampanjë faktikisht është edhe pjesë e një kampanje më të madhe evropiane, në të cilën ne synojmë që ta ngrijmë vetëdijen jo vetëm në Republikën e Kosovës, po edhe më gjerë ku probleme të ngjashme kanë pasur edhe popujt e tjerë, deri më tani kemi rezultate të kufizuara në këtë aspekt, dhe shpresojmë se me këtë kampanjë do të arrijmë në rezultate më të mira, t’i ndalim definitivisht këto hidrocentrale që të mos ndërtohen në Republikën tonë”, u shpreh Valon Raka nga OJQ Gjethi.
Parku i Sharrit shtrihet në Kosovë 1100 km2 dhe Maqedoni të Veriut 500km2, por dallimi është në numrin e Hidrocentraleve. Përderisa atje tashmë janë larguar shtatë hidrocentralet që ekzistonin në Park, sipas EcoZ në Kosovë vazhdon dhënia e lejeve mjedisore për to.
“Nisur nga fakti që në pjesën matanë Sharrit, në pjesën ku shtrihet një pjesë e Sharrit në territorin e Maqedonisë së Veriut kanë qenë duke operuar shtatë hidrocentale dhe me kundërshtimin e banorëve të zonës, ato të gjitha kanë arritur që të mbyllen. Ne kemi shpresa të mëdha që së bashku do të arrijmë që të kthejmë dhe të ruajmë këtë pjesë nga dëmtimi që po i bëhet nga hidrocentralet”, u shpreh Veton Raci, aktivist i mjedisit.
Sipas të dhënave në internet, flora e Parkut Kombëtar të Sharrit përfaqësohet nga 1558 specie të bimëve vaskulare. Fauna përfshin 32 lloje të gjitarëve, 200 lloje të zogjve, 13 lloje të zvarranikëve, 10 lloje të amfibeve, 7 lloje të peshqve dhe 147 lloje të fluturave. Dhe kush jemi ne që ta prishim këtë habitat:
“Na i takojmë natyrës. Jo, natyra nuk është e jona, na nuk posedojmë. Na e kemi me qira për një jetë të shkurtër mbi këtë tokë, që është e falur, e falur nga krijuesi, ne na duhet me e mirëpërdorë, jo me e keqpërdorë”, u shpreh Abaz Recica, aktivist i mjedisit.
Egzona e EcoZ premton se do t’u qëndrojë afër banorëve, ndërsa synon ndërkombëtarizimin e fushatës për ndalimin e hidrocentraleve dhe mbrojtjen e zemrës blu të Parkut.
“T’i ndalojmë hidrocentralet në parqet kombëtare. Nuk ka park kombëtar në botë me hidrocentrale. Po na e kemi realitetin pak më ndryshe, kështu që nuk i takon asnjë hidrocentrali të jetë në park kombëtar.
Ky është njëri ndër aktivitetet tona që sigurisht do t’i plasojmë dhe do t’i vazhdojmë me ndryshime të ndryshme, po të jemi vigjilentë ndaj Ministrisë, sepse dy prej hidrocentraleve janë në pajisur me leje mjedisore.
I fundit i është refuzu shkaku që pikën marrëse e ka në Parkun Kombëtar. Në hidrocentralin e fundit tjetër, sepse katër janë këtu, jemi duke kërku qasjen në dokumente dhe duke kërku që të jemi në proces vendimmarrës edhe ne, se na takon e drejta, por që fatkeqësisht nuk po e gjejmë këtë bashkëpunim dhe kjo është njëra ndër thirrjet që po provojmë t’i dërgojmë jo vetëm si individë, si organizata, po si tërësi, si çdo qytetar i Kosovës që parqet kombëtare të mos kenë hidrocentrale, nuk është esenca e parkut kombëtar me pasë ndërtime, e lëre më hidrocentrale”, shtoi tutje Shala – Kadiu.
Hidrocentralet që janë ndërtuar në zonën e Parkut janë Sharri, Viça, Shtrpca dhe Brezovica. Dikush mund të argumentojë se hidrocentralet të paktën nuk e ndotin ajrin, sikur që ndodh me termocentralet që në Kosovë përdorin qymyr për prodhimin e energjisë elektrike.
“Më së pari, fakti pse ne jemi kundër hidrocentraleve është sepse Kosova nuk ka sasi të mjaftueshme të ujit për ato hidrocentrale. Edhe në momentin që janë dhënë lejet për hidrocentrale nuk ka pasur një kontroll se sa sasi e ujit merret nga hidrocentrali. Shfrytëzimi i ujit është fillimisht për pije në bazë të kriterit qysh shkon si produkt, në rast se konsiderojmë pije, amvisëri, bujqësi, mandej vjen energjia.
Çka ndodh në realitet është që primare i jepet energjisë e i cenohet e drejta për ujë e të pijes çdo qytetarit, e sidomos qytetarëve të Bitisë dhe të Shtërpcës.
Është vërtetu që s’kemi ujë, qymyri është i dëmshëm, kemi mjaftueshëm diell, 260 ditë mjaftueshëm janë për një vend si na kemi mjaftueshëm erë. Duhet shteti edhe na si qytetarë me u orientu tek energjia e ripërtëritshme. E thënë shkurt, ujë nuk kemi të mjaftueshëm nëse nuk i sigurojmë edhe prej reshjeve atmosferike dhe nuk e ruajmë qat ujë as për pije, e sidomos me ndryshimet klimatike e me të gjitha këto, edhe janë qindra efekte negative në ekosistem, sepse hidrocentrali kur ndërtohet e prish rrjedhën e ujit e vendos në gypa. Krejt parku ushqehet me ujin e hidrocentraleve, kafshët, bimët, mikroorganizmat edhe organizmat e tjerë për qat arsye është park, se janë disa kritere, por kryesorja është që i prodhon mushkënitë apo ajrin, si mushkënitë e një vendi”, përfundoi Shala – Kadiu.
Ndërsa aktivistët e pandalshëm vendosin shkronjat në anglisht Sharr Park, No Dams, bëjnë thirrje që të mbrohen Malet e Sharrit nga hidrocentralet dhe të ruhet ky park kombëtar për brezat e ardhshëm. Nëse nuk veprohet tash, rreziku ekziston të humbet bukuria natyrore, uji i pijshëm dhe biodiversiteti i pasur. Andaj, koha për të vepruar është tani – për të mbrojtur dhe ruajtur Malet e Sharrit!
/Katror.info