Dy propozime për hetim mbi energjinë, përplasja e re pushtet-opozitë
April 28, 2022

Pushteti dhe opozita po diskutojnë në Kuvendin e Kosovës në lidhje me formimin e një komisioni hetimor parlamentar për t’i hetuar zhvillimet në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë.
Pasi opozita fillimisht kishte kërkuar formimin e një komisioni që do ta hetonte shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe rrethanat para e pas këtij vendimi, LVV-ja erdhi me një kundërpropozim dhe dëshiron një komision që do t’i hetojë çështjet e energjisë elektrike që nga viti 2006.
Përmendja e emrit të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nga mediat në Slloveni në kuadër të një skandali të shpëlarjes së parave ka rezultuar më përplasje të mëdha në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në mes të opozitës që kërkon shkarkimin e tij dhe pushtetit që mbron Berishajn duke vënë në pikëpyetje raportimin e mediave në Slloveni me arsyetimin se ka qenë fushatë parazgjedhore.
Opozita kundërshton komisionin e ri të propozuar nga pushteti
Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës, pyetjeve parlamentare dhe miratimit të procesverbaleve nga seancat e mëparshme, deputetët e Kuvendit të Kosovës të enjten do të shqyrtojnë propozimin e 40 deputetëve të opozitës për caktimin e komisionit hetimor parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.
Përplasjes së deritashme se a ka qenë e duhur forma e inicimit të komisionit nga opozita i është shtuar propozimi i pushtetit, Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, për formim të komisionit hetimor mbi energjinë për të gjithë sektorin e energjisë, që nga paslufta e deri tash.
Mosvotimi i propozimit të nismës së opozitës ka bërë që tri partitë opozitare, PDK, LDK e AAK të bojkotojnë punimet e Kuvendit deri tash.
Pushteti e pati kundërshtuar iniciativën duke thënë se PDK-ja ka marrë nënshkrime nga të gjitha grupet parlamentare dhe ka iniciuar këtë kërkesë duke mos lënë hapësirë për një grup të vetëm parlamentar joinicues që të udhëheqë me komisionin, ashtu siç përcaktohet, meqë koalicionit qeverisës nuk i lejohet.
Opozita ka kundërshtuar ndërrimin e formës së inicimit të komisionit.
Të mërkurën, Lëvizja Vetëvendosje procedoi kërkesën për themelimin e komisionit hetimor për energjinë për të gjitha zhvillimet që nga paslufta.
Seanca e së enjtes nis në orën 10:00. Në rend dite janë edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për mbrojtjen e sekreteve tregtare, zgjedhja e një anëtari i Bordit të RTK-së nga radhët e komuniteteve, zgjedhja e tre anëtarëve të KGJK-së dhe formimi i Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve në OSHP.
PDK-ja kërkon votimin e komisionit hetimor
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, duke folur për komisionin hetimor për energji ka thënë se secili deputet e ka obligim ta përmbushë mandatin.
Ai ka shtuar se kërkesa e opozitës për këtë komision hetimor është e drejtë, kjo pasi sipas tij, problemet energjetike e kanë dominuar debatin.
“Kjo sfidë sociale, ekonomike dhe politike kërkon menaxhim të duhur. Për të dalë nga kriza të tilla, na duhet bashkërendim, por fatkeqësisht kemi vetëm ndërhyrje të Qeverisë. Mohomi i të drejtave kushtetuese të 40 nënshkruesve u duhet vetëm atyre që duan ta sabotojnë të vërtetën”, ka thënë ai.
Shala ka shtuar se komisioni hetimor duhet të bëhet për ta zbardhur keqmenaxhimin e Qeverisë.
Sipas tij, duhet të zbërthehet deri në detaje arsyeja e subvencionimit deri në 100 milionë euro të energjisë elektrike.
“Presim që opinioni dhe qytetarët ta dinë të vërteten për krizën energjetike në vend. Ju bëj ftesë për të mirë të shtetit ta formojmë sot komisionin hetimor dhe ta përmbyllim ketë debat të shumëzgjatur dhe të panevojshëm që po na mban peng”, ka thënë ai.
VV: Komisioni hetimor mund të formohet duke përfshirë kërkesat e pushtetit dhe opozitës
Shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se LVV-ja disa herë e ka paraqitur qëndrimin që e mbështetë komisionin hetimor për energji.
Megjithatë, ajo ka thënë se kjo kërkesë prej kur është prezantuar është përcjellë me paradokse.
Kusari-Lila ka thënë se në sektorin e energjisë një investim më i thjeshtë zgjat më së paku 6 muaj.
Ajo ka thënë pajtohen me secilin pretendim të opozitës por duhet zgjeruar gama e komisionit hetimor, përfshirë edhe problemet e trashëguara të energjisë.
Sipas saj, me mocion procedural mund të formohet një komision i përbashkët me kërkesa të pozitës dhe opozitës.
“Pajtohemi me të gjitha pretendimet tuaja, por nëse doni të jeni të përkushtuar ndaj transparencës po e zgjerojmë gamën e hetimit. Dhe në këtë aspekt ne kemi propozime shumë konkrete përfshirë edhe propozimet tuaja, pa hequr as pikë as presje. Propozimi ynë është i qartë”, ka thënë ajo.
Gashi: Ajo çfarë po propozon VV-ja është jokushtetuese dhe e palogjikshme
Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se ajo çfarë ka propozuar PDK-ja për formimin e komisionit hetimor për energjinë është e pranueshme dhe kushtetuese, porse një gjë e tillë sipas tij, nuk vlen edhe për komisionin e propozuar nga pushteti.
Ai ka thënë se propozimi i VV-së për Grupin Parlamentar të LDK-së është i rrezikshëm.
Gashi ka thënë se nuk ka ndodhur asnjëherë që në komisionet hetimore të cilat i ka formuar Kuvendi, pushteti ta ndryshojë objektin e hetimit.
“Çka po ndodh tash, zonja Kusari del dhe thotë që kemi propozuar një komision tjetër dhe ju sot duhet ta shkrini këtë komision në atë komisionin tjetër. Kjo nuk do të ndodhë. Pushteti tenton ta mbytë një kërkesë për hetim parlamentar me veprimet dhe mosveprimet e tij. Del kryetarja e grupit parlamentar të pushtetit dhe po thotë hajde po i hetojmë 20 vjetët e kaluara. Dhe i them po publikisht, që ne e mbështesim, por një komision tjetër, jo ky. Sot fatkeqësisht do të përplasemi dhe do të përplasemi keq”, ka thënë ai.
“Ky komision duhet të formohet ose do të përplasemi keq. LDK propozon Driton Selamanaj kryesues, anëtarë Besian Mustafa”, ka thënë Gashi.
Menjëherë është deklaruar edhe AAK, ku ata kanë propozuar për anëtar të komisionit deputetin Pal Lekaj.
Rizvanolli: E kuptoj shqetësimin e opozitës pse s’do që të hetohet edhe e kaluara
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se në emër të Qeverisë nuk ka asgjë për të fshehur.
Ajo ka thënë se e kupton shqetësimin e opozitës që të mos hetohen edhe 16 vjetët e kaluara sa i përket energjisë.
“U tha që 6 muaj nuk mjaftojnë, sa i përket veprimeve dhe mosveprimeve tona do të çmontohen akuzat tuaja brenda dy ore. E 6 muajt tjerë i keni me u marrë me 16 vjetët tjera”, ka thënë ajo.
Ndërkaq shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se ka pritur nga Rizvanolli t’i demantojë shifrat që opozita i ka paraqitur,
“Neve na intereson se pse kemi importuar rrymë në sasi kaq të vogël dhe i kemi dyfishuar faturat. Pse i keni ndarë 125 milionë. Ne po flasim me shifra nuk po e përmendim Martin Berishajn”, ka thënë ai.
Krasniqi: Asnjëherë nuk ka ndodhur të pamundësohet një komision hetimor
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se opozita ka të drejtë ta hetojë punën e qeverisë dhe se mohimi i një komisioni hetimor nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Ai iu referua komisionit hetimor për çështjen e energjisë elektrike të cilin opozita po do që ta ngrisë.
Krasniqi në Kuvendin e Kosovës ka thënë se VV-ja po dëshiron ta pamundësojë këtë komision.
“Është për keqardhje që e keni shtrembëru këtë kuvend në tifozëri. Hetimi parlamentar është instrumenti kryesor që e ka opozita në dispozicion. Ne kemi të drejtë me e hetu punën e qeverisë që e ka zgjedhë ky kuvend. Nuk ka ndodhë më parë me deviju… Ju sot po dëshironi ta pamundësoni, nuk ka ndodhur asnjëherë në të kaluarën dhe shpresoj ta ndryshoni qasjen që të mos ndodhë as tash qe nga pushteti i numrave që keni ta pengoni opozitën. Shefja juaj Mimoza Kusari është në bankën e të akuzuarve pikërisht për çështjet që ju i keni ngritur për hetim, unë jam i bindur që ajo është padrejtë aty se nuk ka bërë asnjë faj e ju jeni të bindur që kjo ka bërë shkelje se kështu keni thënë në të kaluarën”, theksoi ai.