Search

Drejtori i BERZH-it: Energjia e gjelbër është e rëndësishme për vendet Ballkanike

21 Nëntor, 2022


Drejtori i përgjithshëm i ELEM-it në Maqedoni të Veriut, Vasko Kovaçevski dhe drejtori për energji në Evropë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Gregosh Zelenski, kanë vizituar termocentralin fotovoltaik “Oslomejë -1”, ndërtimi i të cilit është financuar me një linjë të favorshme kreditore nga BERZH dhe që tashmë është funksionale.

Gjatë vizitës, Gregos Zelenski, tha se kalimi në energjinë e gjelbër në të gjithë vendet e Evropës është shumë i rëndësishëm, veçanërisht në vendet e Ballkanit.

“Është kënaqësi absolute të shohësh ndërtimin e përfunduar të paneleve diellore. Ky është shembulli më i mirë se si BERZH në bashkëpunim me partnerët tanë të biznesit mund të sjellë një tranzicion në energjinë e gjelbër, në këtë kontekst ELM mund të llogarisë mbështetjen tonë të vazhdueshme”

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i ELEM-it, Vasko Kovaçevski, falënderoi BERZH-in për bashkëpunimin në kuadër të muajit të gjelbër.

“Ne jemi të fokusuar në ndërtimin e termocentraleve të reja diellore dhe mbështetjen e përgjithshme që marrim në vazhdimësi nga partnerët tanë si një kompani energjetike e orientuar drejt investimeve në burimet e rinovueshme dhe zbatimit të mjeteve të tranzicionit të energjisë për ne, për të cilat jemi të njohur si shembull nga Komuniteti i Energjisë”

Përndryshe, ata deklarojnë se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të vazhdojë me mbështetjen financiare për axhendën e gjelbër të ELEM-it.

Me kushte të favorshme financiare siç theksojnë ata, do të fillojë ndërtimi i dy projekteve të tjera, të cilat tashmë janë në fazën përgatitore, përkatësisht termocentrali fotovoltaik “Oslomejë-2” me fuqi të instaluar 10 MW dhe termocentrali fotovoltaik “Manastiri-1”, prej 20 MW.

Këto tre termocentrale do të mjaftojnë për të furnizuar me energji elektrike rreth 10 mijë familje.