Dita e fundit për dorëzim të komenteve ndaj propozimit të ZRRE për rritje të çmimt të energjisë
March 28, 2025

Sot është dita e fundit kur institucionet, qytetarët dhe organizatat mund t’i dërgojnë komentet dhe sugjerimet e tyre rreth vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Deri të mërkurën asnjë nga institucionet shtetërore nuk ka dërguar komente dhe sugjerime në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
Për dallim nga to, reagime pati nga konsumatorët të cilët kanë nisur përgatitjet për protesta.
“Deri më tani, ne nuk kemi pranuar komente zyrtare nga institucionet shtetërore, organizatat jo qeveritare dhe as nga ndërmarrjet e licencuara që operojnë në fushën e energjisë elektrike. Megjithatë, kemi marrë një numër të konsiderueshëm reagimesh nga konsumatorët, të cilët kanë shprehur shqetësime dhe kundërshtime ndaj mundësisë së rritjes së tarifave të energjisë elektrike”, i ka thënë RTK-së nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Shqetësime po vazhdojnë të ngritin edhe përfaqësues të bizneseve në vend, të cilët kanë paralajmëruar ngritje të çmimeve të produkteve në rast se shtrenjtohen tarifat.
Njohës të ekonomisë e kanë cilësuar të pashmangshme ngritjen e tarifave të energjisë elektrike.
Me gjithë reagimet e shumta rreth kërkesës së ZRRE-së, ky institucion është arsyetuar me rritjen e importit të energjisë, mirëpo vendimi nuk është ende final dhe diskutimet publike përmesë komenteve në raprtin konsulativ të të Hyrat e Lejuara Maksimale për operatorët janë kyçe.
/Telegrafi