Search

Dhoma e Tregtisë paralajmëron padi ndaj ZRRE-së

April 28, 2025


Rritja e çmimit të energjisë elektrike 16. 1% ZRRE do t’i dëmtojë bizneset, me theks të veçantë prodhuesit vendorë, thotë Skënder Krasniqi, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë.

Kryetari Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, DHTIK, nënvizon se ky vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike do të çojë në rritjen e çmimeve të produkteve.

Krasniqi thekson se ZRRE nuk e ka marrë parasysh kërkesën e DHTIK për ndarjen e tarifave për prodhuesit vendorë, siç ndodh në vendet e tjera. Ndërsa, ai përmendi mundësinë që DHTIK dhe bizneset të ndërmarrin hapa ligjorë për të paditur ZRrE-në, duke kërkuar që Kuvendi të marrë masa kundër vendimit të bordit të ZRrE-së, i cili, sipas tij, ka sjellë efekte negative për bizneset dhe qytetarët.

Efekt enonomik zinxhiror

Në anën tjetër, ai thotë se vendimi për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike do të shkaktojë dëm tek bizneset dhe qytetarët. Ndërsa, ai thekson se ZRRE-ja ka injoruar kërkesat e këtyre të fundit për të mos marrë këtë vendim.

“Si DHTIK kemi mbajtur edhe konferencë dhe kemi dërguar kërkesë edhe kryeministrit dhe ZRRE-së që të mos shtrenjtohet rryma, të paktën të shtyhet për një vit shtrenjtimi i energjisë, sepse do të ketë efekte të këqija, sidomos tek prodhuesit, por në përgjithësi edhe tek bizneset e tjera, sepse do të ndikojë në rritjen e çmimeve në përgjithësi. Ajo nuk është marrë parasysh, dhe bizneset janë duke u munduar që të mos rrisin çmimet, por vështirësitë duhet të jenë të mëdha që të mos i rrisin. Do të ketë impakte edhe tek qytetarët, që do të kenë rritje të shpenzimeve. Fatkeqësisht kjo do t’i dëmtojë shumë, sidomos prodhuesit vendorë, sepse kemi kërkuar të ndahen tarifat për prodhuesit vendorë, për furra, që të mos ndikojnë në rritjen e çmimeve, siç ndahen në vendet e tjera, të mos jetë çmimi i njëjtë për furra, markete e prodhuesit vendor, që ndikojnë në zhvillimin e vendit. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, ZRrE-ja ka injoruar kërkesat e bizneseve dhe qytetarëve, dhe ne do të përballemi edhe më këtë sfidë e cila nuk do të jetë e lehtë as për bizneset dhe qytetarët”, shprehet Krasniqi.

Ai gjithashtu tha se po shqyrtojnë mundësitë që si biznese të padisin ZRrE-në dhe po ashtu të kërkojnë nga Kuvendi që, pas konstituimit të tij, të merren masa ndaj ZRrE-së.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë më 11 prill bëri të ditur se rritja e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale është 16.1%.

Shtrenjtimi i energjisë elektrike, ka shkaktuar reagime të shumta nga bizneset, subjektet politike dhe qytetarët, madje kishte edhe disa protesta në Prishtinë.

/Telegrafi