Search

Dështon tenderi për hidrocentralin “Çebren” në Maqedoni të Veriut

January 03, 2024


Ka dështuar për të 14-tën herë radhazi tenderi për ndërtimin e sistemit hidroenergjetik Çebren në Maqedoni të Veriut.

Ministrja e Mjedisit, Maja Shukova tha se deri më 31 dhjetor nuk ishte arritur asnjë vendim për vazhdimin e kontratës për hidrocentralin Çebren.

Shukova shtoi se në këto kushte kompania nuk ka siguruar fonde nga bankat për ndërtimin e hidrocentralit dhe garancia bankare prej 1.4 milionë euro nga kompania greke Arhirodon nuk do të aktivizohet. Shukova tha se tashmë i mbetet njohësve të energjetikës të vlerësojnë se si duhet në të ardhmen të zhvillohet ky proces.

“13 tenderë dështuan, ky është i 14. Më shumë se 20 vjet zbatohet ky proces. Dikasteri jonë e udhëhoqi këtë proces sepse bëhet fjalë për hidrocentral. Pasiqë shumë vjet kaluan, unë vlerësoj se ata që merren me energjetikë duhet të ulen dhe të mendojnë se si duhet të zhvillohet ky proces më tutje, a duhet sërish të kemi procedurë të re tenderi për koncesioner ose duhet ta lëmë që shteti ta ndërtoj. Këtë u’a kisha lënë energjetikëve…a do veprohet sërish me koncesion ose me vet financim, gjegjësisht shteti ta financoj si pjesë e sistemit energjetik të vendit”, tha Kaja Shukova, ministre e mjedisit.

Në shtator të vitit 2023, kompania greke Arhirodon u zgjodh si ofertuesja më e favorshme në tenderin e 14-të për ndërtimin e hidrocentralit Çebren.

Fillimisht vendimi ishte paraparë të merrej deri më 14 dhjetor, por Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e shtyu afatin deri më 31 dhjetor 2023 për shkak të procedurës së ankesës që ishte në proces.

Asaj kohe, Qeveri mori vendim përmes të cilit mundësoi realizimin e hidrocentralit të Çebrenit, me vlerë investimi rreth një miliard euro. Vendimi parashikonte ndërtimin e një hidrocentrali të kthyeshëm me fuqi të instaluar të paktën 333 megavat.

Gjithashtu, ishte planifikuar që Çebren të ketë funksionin e prodhimit të energjisë elektrike, si dhe mënyrën e pompimit dhe kthimit të ujit, me çka edhe krijimin e një liqeni të ri artificial në Crna Rekën.