Search

Deputetët kërkojnë anulimin e vendimit për hapjen e tregut – ZRRE ngulë këmbë

May 23, 2025


Vendimi për largimin e rreth 1300 bizneseve nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike po konsiderohet me pasoja të rënda për bizneset dhe ekonominë në përgjithësi.

Ky shqetësim u diskutua në një takim të hapur të organizuar nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ku pjesë ishin disa deputetë nga opozita, bizneset dhe KESCO-s.

Në këtë takim munguan përfaqësuesit e Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe Autoritetit të Konkurrencës. Deputetja Bajrami ka thënë se institucionet megjithëse të pavarura, sipas ligjit janë të obliguara të raportojnë në Kuvend.

Ajo ka theksuar se sot sërish kanë dashur të përsërisin kërkesën që të anulohet ose shtyhet vendimi deri në krijimin e kushteve.

“Nuk ka konkurrencë të lirë. Keni kërkuar oferta për energji elektrike nga pothuajse 19 kompani të licencuara dhe keni marrë një ofertë të vetme nga KESCO”, ka thënë Bajrami.

Në anën tjetër, deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se ZRRE është shndërruar në një degë të partisë në pushtet duke dalë prej mandatit të saj.

“Fatkeqësisht sot ata që do duhej t’i kemi, ZRRE-në, e që është shndërruar në një degë e partisë në pushtet dhe ka dalë prej mandatit të saj. Me gjasë sot do t’i ngritim shqetësimet tona, por nuk e kemi adresën për të marrë përgjigje…Numri i pyetjeve që kam pas për ZRRE-në është i madh, nuk do t’i ndalim përpjekjet t’i kemi në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Derisa përfaqësues prej KESCO-s kanë thënë se do t’i ndihmojnë bizneset në këtë proces.

ZRRE në anën tjetër ngul këmbë në vendimin e saj

Zyra e Rregullatorit për Energji  ka mbajtur takim me furnizuesit e licencuar për furnizim me energji elektrike në vend, ku u tha se janë përmbushur kushtet e nevojshme për fillimin e funksionimit të tregut të liberalizuar të energjisë elektrike më 1 qershor pavarësisht kundërshtimeve se kjo do të dëmtojë bizneset.

Në takim morën pjesë edhe furnizues të licencuar nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke reflektuar njohjen reciproke të licencave ndërmjet vendeve të rajonit.

Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji në takim me furnizuesit e licencuar, theksoi rëndësinë e transparencës dhe informimit të saktë të konsumatorëve gjatë këtij tranzicioni.

Ai nënvizoi se roli i rregullatorit do të mbetet kyç në monitorimin dhe garantimin e një tregu të drejtë dhe konkurrues.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi rëndësinë e përgatitjeve të përbashkëta për kalim të suksesshëm drejt tregut të liberalizuar të energjisë elektrike, ndërsa furnizuesit e licencuar shprehën gatishmërinë për të ofruar ofertat për konsumatorët që shprehin interes për furnizim në tregun e lirë.

Po ashtu, ata u zotuan për një bashkëpunim të vazhdueshëm me ZRRE-në dhe për ofrimin e informacioneve të nevojshme për konsumatorët që kërkojnë sqarime lidhur me kalimin në tregun e liberalizuar.

Në takim u konstatua se janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për fillimin e funksionimit të tregut të liberalizuar të energjisë elektrike, i cili do të nisë zyrtarisht më 1 qershor 2025.

/Telegrafi