Search

Dëmet e shkaktuara nga ndotja nga zhurma janë të nënvlerësuara

December 18, 2020


Ekspozimi afat-gjatë ndaj zhurmës në Evropë kontribuon në 48,000 raste të sulmit në zemër dhe 12,000 vdekje të parakohshme çdo vit. Ndotja nga zhurma shkakton shqetësime serioze të gjumit për 6.5 milion njerëz dhe ndikon në mësim-nxënje tek fëmijët.

Agjencia Evropiane e Mjedisit ka publikuar raportin mbi ndotjen nga zhurma. Ky raport sugjeron se së paku 20% e banorëve të kontinentit të Evropës jetojnë në zona të zhurmshme që vlerësohen shumë të dëmshme për shëndetin e njeriut.

Ndotja nga zhurma ndikon në 12,000 vdekje të parakohshme çdo vit ndërsa shqetësimet e gjumit të rregullt dhe privon 437 mijë vite të jetë së rregullt të banorëve për shkak të vdekshmërisë së parakohshme apo edhe dëmeve të shkaktuara në shëndet.

Qipro është ndër shtetet më të ndikuara

Rreth 22 milion banorë janë të ekspozuar ndaj zhurmës që vie nga hekurudhat, sipas të dhënave të mbledhura në vitin 2017, që nuk mbulojnë edhe territorin e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.

Qipro është ndër vendet me numrin më të lartë të banorëve të ekspozuar ndaj zhurmës nga trafiku të përllogaritur me mbi 55 decibelë. Rreth 49.2% e banorëve të Qipros janë të ndikuar nga kjo zhurmë. Vendin e dytë e zë Zvicra, pasuar nga Bullgaria.

Në Prishtinë dhjetëra protesta nga banorët për zhurmën e pakontrolluar

Ndërsa në Evropë ndotja nga zhurma shkaktohet nga trafiku, në kryqytetin e Kosovës, për ndotjen nga zhurma nga operatorët ekonomik dhe ndikimet e kësaj ndotjeje në shëndetin publik qytetarët kanë organizuar dhjetëra protesta.

Protestat janë organizuar kundër operatorëve ekonomik, që shkaktojnë ndotje të vazhdueshme dhe rrezikojnë banorët nga ekspozimi ndaj kësaj ndotjeje.

Në njërin rast, Policia e Kosovës ka konfirmuar se kanë pranuar mbi 300 raportime të ndotjes nga zhurma brenda natës, vetëm nga banorët e kryeqytetit të Kosovës.

Me një shikim të thjeshtë mbi pajisjet e zërimit të operatorëve ekonomik në qendër të kryeqytetit, shumë lehtë mund të konkludohet se pothuajse të gjithë këta operatorë shkaktojnë ndotje shumë më të madhe nga zhurma sesa është e lejuar me standardet e lejuara shëndetësore.

Në këtë nuk përfshihet ndotja nga zhurma që shkaktohet nga konsumatorët e këtyre operatorëve, e që ka tendencë rritjeje atëherë kur niveli i zhurmës së ambientit është i lartë.

Duhet theksuar se bëhet fjalë për hapësira të destinuara si zona të banimit, ku vlerat mbi zhurmën janë edhe më strikte.

Ndërsa niveli i lejuar i ndotjes nga zhurma brenda një ambienti në zona banimi nuk duhet të tejkalojë 45 decibel, studime ndërkombëtare sugjerojnë se një kafiteri e zakonshme, në raste të mungesës së kontrollit dhe monitorimit të zhurmës, shumë lehtë mund të shkaktojë zhurmë të niveleve nga 75 – 81 decibel.

Ndërsa vlerat e lejuara për operatorët ekonomik brenda zonave komerciale janë 55 decibel, vlerat nga 75 – 81 decibel vlerësohen si shumë të dëmshme dhe me ndikime direkte negative në shëndetin publik.

Këto studime përfshijnë vendet ku nivelet e ndotjes janë të rregulluara dhe ambientet përcillen me izolim të standardizuar akustik, e që nuk mund të aplikohet për Kosovë për shkak të mungesës së izolimit dhe / ose largimit të izolimit ekzistues, siç bëhet fjalë për qendrën e Kryeqytetit.

Ligji mbi ndotjen nga zhurma në Republikën e Kosovës fillimisht është miratuar në vitin 2008 ndërsa përditësimi i këtij ligji përmes amandamenteve ka tre vite që shtyhet.