Search

Del në konsultim publik Ligji për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë

08 Dhjetor, 2022


Në platformën e konsultimeve publike më datën 07.12.2022 ka dal në konsultim publik Ligji për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë (BRE).

Ligji i BRE-ve përcakton promovimin e përdorimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme të energjisë në Republikën e Kosovës, me qëllim të rritjes së përdorimit të energjisë nga burimet e ripërtërishme dhe bashkëprodhimit në sektorin e energjisë elektrike, ngrohjes dhe ftohjes dhe sektorin e transportit, me qëllim të përmbushjes së nevojave për energji, rritjes së sigurisë së furnizimit, përmirësoj mbrojtjen e mjedisit, si dhe ofrimit të përfitimeve sociale dhe shëndetësore dhe promovimit të mundësive të barabarta punësimi në sektor të energjisë.

Përmes këtij ligji do të mundësohet zhvillimi i kapaciteteve të BRE me procedurë konkurruese, transparente dhe jo diskriminuese.

Ky ligj pjesërisht transpozon Direktivën (BE) 2018/2001 për Promovimin e Përdorimit të Energjisë nga Burimet e Ripërtëritshme, miratuar me Vendimin (2021/14/MC-EnC) të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, , thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë.

“Ministria e Ekonomisë e vlerëson shumë konsultimin me palët e interesit. Prandaj, kontributi juaj paraprak me shkrim do të jetë shumë domethënës dhe përmbajtjesor. Ministria e Ekonomisë mbetet e përkushtuar që kontributin tuaj përmes komenteve dhe sugjerimeve të ofruara t’i përfshijë brenda Ligjit”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, afati përfundimtar i dorëzimit të komenteve me shkrim në kuadër të procesit të konsultimit të Ligjit për Promovimin e Përdorimit të Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë është 15 ditë pune nga momenti i publikimit.

Klikoni këtu për më shumë detaje.