Çmimet e Naftës po lëvizin – MINT rregullon marzhën e fitimit
April 09, 2025

Çmimet e naftës ranë këto ditë mes shqetësimeve se lufta tregtare e nisur nga presidenti amerikan Donald Trump do të ngadalësojë ekonominë botërore dhe OPEC po e mbi furnizon tregun.
Ulja e çmimeve të naftës në nivel global pas vendosjes së tarifave nga Trump, sipas kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani do të ndikojë në rënien e çmimit të derivateve të naftës dhe në Kosovë.
“Sipas zhvillimeve të fundit dhe tarifave të vendosura nga Presidenti amerikan Donald Trump, çmimet e derivateve janë në rënie. Një litër naftë ka gjasa të bjerë nga 1.21€ euro në 1€, ndërsa edhe çmimi i benzinës pritet të jetë më i ulët se 1.31€/litër. Megjithatë, gjithçka varet nga lëvizjet në bursat ndërkombëtare”, deklaroi Berjani.
Ai shtoi se për Kosovën, një çmim prej 1€ për litër do të ishte ideal, por theksoi se ky zhvillim është i lidhur me dinamikat globale.
Berjani gjithashtu apeloi për gatishmëri institucionale, duke theksuar se autoritetet vendore duhet të përshtaten me ndryshimet që vijnë nga tregu ndërkombëtar.
“Institucionet kosovare duhet të jenë të përgatitura për çdo zhvillim që ndodh në arenën globale, sepse ndikimi ndjehet edhe te ne”, u shpreh ai për Telegrafin.
Në këtë frymë ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka nënshkruar vendimin për rregullimin e çmimeve të naftës në tregun vendor, duke vendosur masa mbrojtëse për konsumatorët dhe për të garantuar konkurrencë të ndershme.
Vendimi përcakton se marzha maksimale e fitimit për shitjen me shumicë të naftës do të jetë 2 eurocentë për litër, ndërsa për shitjen me pakicë, marzha maksimale do të jetë 12 eurocentë për litër.
Përmes një postimi në Facebook, ministrja Hajdari theksoi se ky vendim është rezultat i monitorimit të vazhdueshëm të tregut të produkteve të naftës.
Sipas saj, është vërejtur se ndryshimet e çmimeve të importit reflektohen shpejt në ngritje të çmimeve në tregun e brendshëm, por jo edhe në rastet kur çmimet e importit bien.
“Ky vendim ka për qëllim të parandalojë praktikat e padrejta dhe të ruajë transparencën dhe balancën në treg”, u shpreh Hajdari.
Ministrja bëri të ditur se për zbatimin e vendimit do të ketë mbikëqyrje të shtuar inspektuese, paraqitje të rasteve të dyshimta tek Autoriteti i Konkurrencës, si dhe bashkëpunim të ngushtë me Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës.
Sipas Hajdarit, ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të konkurrencës së ndershme, mbrojtjes së konsumatorëve, dhe krijimit të kushteve të barabarta për të gjithë operatorët në tregun e produkteve të naftës në Kosovë.
/Telegrafi