Search

Cilat janë rezulatat e nxjerra nga COP30? Shumë mbeten të zhgënjyer mirëpo, disa pika janë mjaft të mirëpritura

November 27, 2025


Bisedimet e samitit të klimës COP30 janë mbyllur më 22 nëntor, ku negociatat u zgjatën përtej afatit. Vendimet e arritura kanë siguruar disa fitore të rëndësishme, si brenda ashtu edhe jashtë procesit të negociatave, por kanë lënë jashtë disa prej çështjeve madhore që shumë shpresonin të përfshiheshin.

Me përpjekjet për të ndalur rritjen e temperaturës dukshëm jashtë trendeve të dëshiruara dhe fatkeqësive klimatike gjithnjë e më shkatërruese, samiti COP30 synoi të vendoste rrugë të qarta për përmbushjen e angazhimeve të mëparshme dhe ta vendoste botën në një shteg më të sigurt.

Dëshprim mbi negociatat kishte filluar dhe para samiti, me njoftimin e presidentit Donald Trump për mos pjesëmarrje dhe këmbnguljen e tij për mospërfshirjen e SHBA-së në Marrëveshjen e Parisit.

Një pyetje kyçe e COP30 ishte se si vendet do të adresonin ambicien e ngecur në angazhimet e tyre të reja klimatike (NDC). Shpresat që vendet do të angazhoheshin për plane konkrete për t’i dhënë fund përdorimit të lëndëve fosile dhe për të ndaluar shpyllëzimin u shuan, pas kundërshtimit nga shtetet prodhuese të lëndëve fosile.

Vendimi përfundimtar përfshiu vetëm nisma të reja vullnetare për të përshpejtuar veprimin kombëtar për klimën, megjithëse Presidenca braziliane synon të ecë përpara me planin për lëndët fosile dhe shpyllëzimin jashtë kornizës formale të bisedimeve të COP-it.

Fusha të tjera kishin rezultate më pozitive

Rritja e qëndrueshmërisë ndaj ndikimeve klimatike mori vëmendjen qendrore. Në COP30 u sigurua një objektiv i ri për të trefishuar financimin për përshtatjen klimatike.

COP-i gjithashtu parashtroi zgjidhje praktike për rritjen e financimit për aktivitet me emitime të ulta të karbonit. Në një epokë luftërash tregtare dhe tarifash doganore, negociatorët ranë dakord për herë të parë të zhvillojnë diskutime mbi mënyrat se si politikat tregtare mund të ndihmojnë  ose të pengojnë iniciativat klimatik.

Në Belém, në afërsi të Amazonës, mbrojtja e natyrës shënoi përparime, përfshirë një fond të ri për ruajtjen e pyjeve tropikale. Popujt indogjen dhe komunitetet lokale u njohën si kurrë më parë. Dhe jashtë negociatave formale, samiti pa një sërë angazhimesh dhe planesh të reja për veprimi nga qytete, shtete dhe sektori privat.

Këto fitore kanë rëndësi. Ato tregojnë se bashkëpunimi ndërkombëtar mund të japë rezultate edhe përkundër përçarjeve të thelluara mbi veprimin klimatik dhe një kontekst të vështirë gjeopolitik.

Mungesa e NDC-ve

Në përfundim të COP30, 119 vende që përfaqësojnë 74% të emetimeve globale kishin dorëzuar angazhime të reja kombëtare në njohura si NDC (Nationally Determined Contributions). Këto angazhime treguan disa përparime në uljen e emetimeve dhe mobilizimin e veprimit sektorial, por së bashku sigurojnë më pak se 15% të uljeve të emetimeve të nevojshme deri në vitin 2035 për ta mbajtur rritjen e temperaturës globale në 1.5°C.

Analiza e OKB-së tregon se, edhe me NDC-të dhe politikat aktuale, bota vazhdon të jetë në kurs për 2.3-2.8°C ngrohje globale. Një perspektivë e rrezikshme, shumë mbi kufijtë e Marrëveshjes së Parisit.

Më shumë se 80 vende mbështetën një plan global për ta udhëhequr këtë tranzicion, por negociatorët dështuan ta përfshinin atë në vendimin final, të penguar nga kundërshtimi i disa vendeve — veçanërisht shteteve prodhuese të naftës.

Si zëvendësim i këtij plani, COP30 nisi dy nisma të reja, një Përshpejtues Global të Zbatimit (Global Implementation Accelerator) dhe “Misionin Belém drejt 1.5”, për të forcuar dhe shpejtuar zbatimin e NDC-ve dhe Planeve Kombëtare të Adaptimit (NAP) dhe për ta mbajtur cakun e ngrohjes globale në 1.5°C si të arritshme.

Asnjëra nga këto nisma vullnetare nuk përmend drejtpërdrejt lëndët fosile, duke zhgënjyer vendet që kërkonin drejtim më të qartë.

Për herë të parë në një vendim të COP-it, negociatorët pranuan gjithashtu gjasat e tejkalimit të pragut 1.5°C dhe nevojën për të kufizuar si madhësinë ashtu edhe kohëzgjatjen e këtij tejkalimi.

Së fundi, megjithëse shumë vende tashmë kanë objektiva për 2030, 2035 dhe emetime neto-zero, COP30 i kushtoi pak vëmendje përditësimit të strategjive afatgjata të emetimeve, fokusi ishte në plotësime thelbësore të objektivave afatshkurtra.

Financimi për vendet në zhvillim

Pritshmëritë ishin të larta që vendet të përcaktonin hapat e ardhshëm për financimin e përshtatjes së fondeve mbështetëse, meqenëse angazhimi i COP-it të Glasgow-it I mbajtur në vitin 2021 për ta dyfishuar financimin nga nivelet e vitit 2019 skadon këtë vit.

Palët u dakordun mbi vendosjen e një objektivi të ri për ta trefishuar financimin për mekanizmat për përshatjen ndaj ndryshimeve klimatike deri në vitin 2035 — një zhvillim i mirëpritur, ndonëse me një afat më të gjatë se sa shumë kishin shpresuan shumë.

Politikat tregtare të lidhura me veprimin klimatik

Në COP30 u bë njohja e politikave tregtare si të ndërlidhura ngushtë me veprimin klimatik. Kjo pasqyron se sa gjithnjë e më shumë veprimi klimatik shihet si pjesë përbërëse e transformimit ekonomik më të gjerë, dhe se si sistemet ekonomike mund të veprojnë si pengesa ose si katalizatorë për ritmin dhe përshkallëzimin e tranzicionit klimatik.

Në fillim të samit, disa vende në zhvillim kërkuan që agjenda formale të përfshinte diskutime mbi “masat e njëanshme tregtare” të lidhura me politikat klimatike. Rezultati riafirmoi se shtete duhet të bashkëpunojnë për të promovuar një sistem ekonomik ndërkombëtar mbështetës dhe të hapur që fuqizon përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike.

Përshpejtimi i aktiviteteve

Është e lehtë të dekurajohesh nga lajmet negative që dalin nga COP30 dhe nga fusha e klimës në përgjithësi. Por nën titujt, përparimi po ndodh.

Energjia e pastër dhe elektrifikimi i industrisë po zhvillohen me ritme të paimagjinueshme. Vendet që investojnë në tranzicionin e gjelbër po korrin përfitime, vende të reja pune dhe ajër më të pastër.

Kjo është në interesin e të gjithëve që duan një tranzicion të drejtë. Ndërkohë, shtetet në të gjithë globin duhet të tregojnë se mund t’i zbatojnë planet e tyre të reja klimatike, duke implementuar ndryshime të politikave dhe mobilizimin e financave për ta kthyer ambicien në veprim konkret.

Pavarësisht pengesave në negociata klimatike, tranzicioni ekonomik është në zhvillim e sipër. Pyetja është sa shpejt do të ecë dhe kush do të përfitojë. Tani është koha që të gjithë aktorët të rrisin ritmin dhe të drejtojnë drejt një tranzicioni të drejtë.

/World Resources Institute