Search

Cilat janë ndikimet e shtrenjtimit të energjisë dhe tregut të hapur sipas Odës Ekonomike dhe Dhomës së Bizneseve

April 14, 2025


Udhëheqësi i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se është sfidë për bizneset çështja e daljes në treg të lirë dhe nuk janë kushtet e as momenti që ato të dalin në këtë treg.

Kalimi i bizneseve në treg të lirë po diskutohet pas vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike, i cili është vendosur të premten, më 11.04.2025 në një mbledhje të bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

“Sipas analizave që i kanë ba anëtarët e OEK dhe kanë hulumtu nëpër bursa, sot çmimi i energjisë elektrike në bursa është 50 – 100 % më i shtrenjtë sesa çmimi që e kanë pasë deri më tani prej KEDS-it. Dhe kërkesa e bizneseve është që kjo të shtyhet minimumi për një vit – dalja në treg të lirë. Nuk janë për me dalë në treg, se qëllimi i daljes në treg të lirë në vetvete ka për qëllim që ti me gjetë çmim të energjisë elektrike më lirë se që e ke pasë sot dhe me kualitet më të mirë” – ka deklaruar Rafuna në emisionin “Kallxo Përnime”.

Rafuna ka treguar se menjëherë pasi kanë përfunduar zgjedhjet parlamentare më 09.02.2025, bizneset janë njoftuar në fund të shkurtit dhe fillim të marsit të këtij viti se më 01.06.2025 do të dalin në tregun e hapur.

Për këtë, Rafuna tregoi se janë ankuar dhe se kanë kërkuar që bizneset të dalin vitin e ardhshëm në tregun e lirë.

“Edhe periudha prej tre muajve, biznesi nuk mundet me u përgatit sado i madh që të jetë, sado i organizuar që është, nuk mundet. Plus shto këtu që shumicën e bizneseve siç e thash janë 761 biznese që i kanë vetëm mbi 50 punëtorë, po nuk e kanë qarkullimin mbi 10 milionë [euro]… Kemi shumë ‘start up’ që janë në hapat e parë, në ditët e para dhe këta ankohen dhe e vënë theksin ne do të mbyllemi për shkak se ne nuk kemi mundësi financiare ose organizative për me dalë me u marrë me bursa siç e kërkojnë zyrtarët e ZRRE-së” – ka thënë Rafuna.

Ai madje ka thënë se i kanë dërguar shkresë Zyrës së Kryeministrit për këtë çështje, por nuk kanë marrë përgjigje.

Rafuna ka theksuar se vendimi i ZRRE-së do të ndikojë në kosto të produktit, të cilin e shet një biznes.

“Qytetari ka me qenë i detyrum me ble me çmimin ma të shtrenjtë, po ky produkt i joni ma nuk ka me qenë konkurrent me produktin e importuar… Ka me u tkurrë prodhimi, kur të tkurret prodhimi, ty të bjen eksporti por të rritet edhe papunësia se duhet me i liru edhe punëtorët” – tha Rafuna.

Mendimi të ngjashme kanë shprehur dhe nga Dhoma  Tregtisë

Kurse, Hamdi Malushaj nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë mendon se ZRRE nuk është duke u kontrolluar mirë nga Parlamenti i Kosovës. Sipas tij, është një grup që s’e di çka bën, nuk ka kompetenca dhe se është i shtyrë nga KEDS-i.

Malushaj është edhe përfaqësues i një biznesi, i cili i ka mbi 1,000 punëtorë. Kur u pyet nëse do ta mbajë të njëjtin prodhim si para shtrenjtimit të rrymës dhe pas, ai tha se do ta zvogëlojë fitimin dhe do t’i duhet të largojë punëtorë nga puna.

Në mbledhjen e datës 11.04.2025, bordi i ZRRE me shumicë të votave ka miratuar të hyrat e lejuara maksimale për operatorët dhe ka rezultuar në një rritje prej 16.1% të çmimit të energjisë elektrike.

Në këtë buxhet nuk janë përfshirë bizneset të cilat do të kalojnë në treg të lirë dhe nuk do të rregullohen më nga ZRRE.

“Nga fillimi kemi qenë kundër, biznesi dhe qytetarët nuk duhet të paguajnë dështimin. Kemi gati se çdo ditë njoftime nga KESCO se po rritet kërkesa për import të energjisë elektrike. Për katër vjet institucionet kanë dështuar të sjellin investime të jashtme”, drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti.

Në konferencë për media, Ahmeti tha se bizneset vendore janë në situatë të vështirë, raportin KP.

Po ashtu, kryetari i kuvendit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Hamdi Malushaj ka shprehur shqetësimin lidhur me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë.

“Kosova është vendi më i parregulluar për tregun e hapur. Komponentët e liberalizimit të tregut të hapur janë shumë strikte…. Unë kërkoj komision parlamentar që ta shqyrtojnë, ta pyesin ZRrE-në se cilët komponentë janë plotësuar”, shtoi ai.

/Telegrafi