Cilat jane ndikimet e prodhimit të energjisë nga gazi në mjedis?!
August 24, 2020

Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor, e cila funksionin në kuadër të procesit të Berlinit, njoftoi mbi përfundimin e studimit për një linjë të transmetimit të gazit nga Shqipëria në Kosovë, për tu shtrirë më tej në Serbi.
Studimi paraprak ka treguar se përfundimi i projektit do të kushtojë rreth 211 milionë euro. Gjysma e shumës do të financohet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Me krijimin e infrastrukturës së transmetimit të gazit nga Shqipëria, qytetarët e Kosovës mund të përfitojnë nga shumë projekte të sektorit të energjisë, sikurse ato të ndërtimit të gjeneratorëve të prodhimit të energjisë elektrike përmes djegjes së gazit, me shumë më pak ndikim në mjedis krahasuar me ato të bazuara në thëngjill.
Gazi natyror ka shumë cilësi që e bëjnë atë një burim efikas, relativisht të pastër dhe një burim ‘ekonomik’ të prodhimit të energjisë elektrike.
Por cilat janë ndikimet e një termocentrali të tillë në mjedis? Njëlloj sikurse thëngjilli dhe vajrat e tjerë, gazi natyror është një karburant fosil, mirëpo ndikimi i tij në ngrohjen globale si gaz serrë është shumë më i vogël në krahasim me karburantet tjera djegëse.
50 deri në 60% më pak dioksid të karbonit
Studimet thonë se gazi natyror emeton 50 deri në 60 përqind më pak dioksid të karbonit (CO2) kur digjet në një termocentral të ri, krahasuar me emetimet e një termocentrali të ri me thëngjill. Kur digjet në vetura më të zakonshme të ditëve të sotit, gazi natyror lëshon edhe 15 deri në 20 përqind më pak gazra të bllokimit të nxehtësisë, sesa lëndët tjera djegëse sikurse benzina.
Procesi i nxjerrjes së gazit natyror mund të shkaktojë dëme në mjedis
Mirëpo, shpimi dhe nxjerrja e gazit nga burimet, dhe më pastaj edhe transportimi në tubacione shpesh herë rezulton në rrjedhje apo përhapje të gazit të metanit, që është përbërësi kryesor i gazit natyror dhe paraqet një rrezikshmëri 34 herë më të lartë se dioksidi i karbonit në efektin serrë.
Përgjatë procesit të nxjerrjës së gazit zakonisht nevojitet hapësirë e madhe tokës, dhe kësisoji mjedisi dëmtohet dhe më shumë. Procesi i nxjerrjes, edhe për shkak të hapësirës që zë, mund të shkaktojë erozione, ndotje ujore nga derdhjet kimike ose makineritë, si dhe zvogëlim të ujërave sipërfaqësore si rezultat i uljes së niveleve të ujërave nëntokësorë.