Search

Çfarë çmimi dhe cilat vështirësi i kanë hasur bizneset gjatë kontraktimit të furnizuesve nga tregu i lirë?

August 01, 2025


Disa biznese kanë nisë t’i pranojnë faturat e shpenzimit të energjisë elektrike për muajin qershor të këtij viti, pas dy muaji vonesë. Siç është parashikuar kostoja është mbi 100% më e lartë.

Një ndër bizneset që e pranoi faturën e qershorit 2025 më të shtrenjtë minimumi 100% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak është kompania “Elkos”.

Pronari i kompanisë “Elkos”, Ramiz Kelmendi tha për KosovaPress se sot kanë pranuar faturën e muajit qershor në vlerë prej 346 mijë euro. Ai thekson se fatura e qershorit 2024 ka qenë 166 mijë euro. Sipas tij, ky shtrenjtim do të shkaktojë rritje të çmimit të produkteve dhe shërbimeve 10 deri në 30%.

Sipas tij, kjo ngritje e çmimit të energjisë do të dëmtoj rëndë ekonominë e Kosovës.

“Na erdhi fatura. Vitin e kaluar, ka qenë fatura 166 mijë…  muaji qershor i vitit 2025, 346 mijë… Ne nuk mundemi me punuar, por meqenëse duhet me transferua te qytetari, atëherë këto pare diku rreth 200 milionë shtesë ka me i dalë të gjithë qytetarëve mbi barrën e çmimeve që kanë me u krijua. Për shembull, ke me shkua me emër bukë në restorant, do të dalë më shtrenjtë tash, çdo gjë më shtrenjtë…

Diku deri në 10%, diçka edhe më shumë, këto cka prodhohet në Kosovë shkon edhe deri në 30 për qind…Është diçka që persekuton ekonominë, e këputë, sidomos në raport me konkurrencën që vjen prej shteteve fqinje që e kanë çmimin më të lirë se ne”, tha Kelmendi.

Po ashtu edhe një prodhues tjetër në vend, Shaqir Palushi ka pranuar faturën e fundit të qershor për së paku 100 për qind të më të shtrenjtë, shkruan KP.

“Nëse vitin e kaluar kemi paguar fatura me vlerë 430 mijë euro, tash mund të jetë 800 deri në 1 milion euro”. Kështu e përshkruan gjendjen aktuale Shaqir Palushi, pronar i një kompanie në Kosovë, vetëm një ditë para hyrjes në fuqi të vendimit për dalje në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Palushi thotë për KosovaPress se kontratat kanë ardhur me vonesë dhe çmimet janë shumë më të larta se më parë.

Ai ka lidhur kontratë tremujore me KESCO-n, por me çmim jo fiks, i lidhur me bursën hungareze dhe marzhat e furnizuesit.

“Nëse vitin e kaluar, përgjatë gjithë vitit kemi paguar fatura me vlerë 430 mijë euro, tash, sipas parashikimit domethënë, se nuk është fikse, mund të jetë 800 deri në 1 milion euro. E mira është që jo të gjithë kompanitë duket sa kam informacione e kanë nënshkruar me KESCO-un dhe ne kështu do të kemi brenda këtyre tre muajve do të shohim edhe faturat, për shembull, do t’i krahasojmë çmimin që do ta kemi ne si kompani dhe kompanitë tjera do të do të marrin nga operatorët e tjerë dhe do të shohim”, thotë Palushi.

Palushi kritikon mungesën e seriozitetit nga ana e operatorëve përgjatë muajve të kaluar, duke thënë se ofertat konkrete kanë ardhur vetëm ditët e fundit para afatit.

Ai po ashtu shprehet i zhgënjyer edhe për mosrealizimin e kërkesave për shtyrje gjashtëmujore që do t’i lejonin kompanive të investonin në energji të ripërtëritshme. Derisa shton se, mbetet të shihet, nëse do të realizohen disa premtime që janë bërë publike nga ana e qeverisë, se do të ketë subvencionim për kompani, të cilët do të investojnë në energji të ripërtëritshme.

Sipas Palushit, përveç rritjes së çmimit, bizneset po përballen edhe me barrë financiare të menjëhershme për shkak të kushteve kontraktuale që kërkojnë pagesa paraprake të konsiderueshme.

Dhomat e Tregtisë dhe Odat Ekonimike në përkrahje të bizneseve

Në anën tjetër drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Kushtrim Ahmeti e quan situatën kritike. Sipas tij, mungesa e transparencës, oferta të vonuara dhe çmime të paqëndrueshme rrezikojnë seriozisht qëndrueshmërinë e bizneseve në vend.

Ai thekson se shumë kompani kanë pezulluar investimet dhe disa kanë filluar të shkurtojnë numrin e punëtorëve, duke paralajmëruar largime të mundshme nga tregu kosovar. Ai përmendi edhe shqetësime për rritje të çmimit të energjisë, duke dhënë shembuj nga kompanitë që kanë ofertuar.

“Problemi kryesor është padyshim furnizimi. Tashmë kemi paralajmërime që si të përfundon periudha e korrikut, bizneset që nuk kanë nënshkruar kontrata me një nga kompanitë, meqenëse është numër i vogël të cilat janë të licencuara për furnizim me energji elektrike në tregun e hapur do të mbesin pa furnizim me energji. Ky është problemi kryesor aktual dhe është më urgjente”, tha ai.

Tutje Ahmeti theksoi se janë duke kërkuar nga institucionet duke përfshirë edhe ZRrE-në që të shtyjë këtë proces, sepse ka një numër të madh të parregullsive dhe shkeljeve ligjore që janë bërë gjatë gjithë procesit.

“KEK-u ka ofruar si furnitor i fundit të energjisë, kemi KESCO-n i cili ka ofertuar me çmimin prej 260€/MW, dje ka nisur ofertimin kompania e vëllait të shefit të kabinetit të kryeministrit që ka marrë këto ditë licencën nga ZRrE për furnizim me energji, vlera nëse nuk gaboj është rreth 230€/MW, është disafish çmimi më i shtrenjtë, sesa që kanë paguar deri sot bizneset. Askush nuk është kundër procesit të liberalizimit të energjisë elektrike, është proces që e kemi mbështetur, ne jemi pro liberalizmit të tregut, por jo në këtë formë që është bërë deri tani, ka numër të madh të shkeljeve, jo të bëhet në mënyrë të menjëhershme”, thotë Ahmeti.

Ai thotë se përveç barrës financiare, mungesa e funksionimit të Kuvendit po e pamundëson edhe dorëzimin e peticioneve dhe ankesave të komunitetit të bizneseve.

90% e rreth 1300 bizneseve ka furnizues

Po ashtu nga ZRRE thuhet se deri më 24 korrik 2025, gjithsej 9 mijë e 367 pika matëse janë jashtë sistemit të furnizimit universal.

7 mijë 169 prej tyre aktualisht furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF), ndërsa pjesa tjetër ka lidhur kontrata me një nga 7 kompanitë e licencuara.

Sipas ZRRE-së, mbi 7 kompani janë aktive në tregun e lirë dhe të gatshme të nënshkruajnë kontrata me konsumatorët.

Më shumë se 90% e rreth 1300 bizneseve të mëdha, që u nxorën në tregun e hapur të energjisë elektrike nga 1 Qershori, rrezikojnë të mbesin në terr pas 30 Korrikut.