Search

Certifikohen 46 auditorë energjetik nga QEQ

February 27, 2025


Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri e Universitetit të Prishtinës, e përkrahur nga Ministria e Ekonomisë, ka ndarë certifikatat për 46 auditorët që kanë ndjekur trajnimet për Auditor të Energjisë në ndërtesa dhe ndriçim publik.

Në ceremoni mori pjesë Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, i cili foli për rëndësinë e efiçiencës në tranzicionin energjetik dhe për rolin e auditorëve në projektet e financuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

“Po punojmë për të përthekuar sfidat dhe synimet moderne të energjisë, mbrojtjen e mjedisit, sigurinë e furnizimit dhe përballueshmërinë e kostos, duke përdorur të dy duart: në njërën dorë kemi investimet në kapacitete të përftimit dhe ruajtjes së energjisë dhe në dorën tjetër kemi masat e efiçiencës”, tha Zëvendësministri Mjeku.

Rektori, Arben Hajrullahu tha se Universiteti i Prishtinës do të vazhdojë angazhimin në sektorin e energjisë, duke i kushtuar vëmendje zhvillimit të qëndrueshëm.

QEQ është pjesë e Universiteti të Prishtinës e cila orfon kurse në fushën e qëndrueshmërisë energjetike dhe trajnimit dhe certifikimit të inxhinierëve apo profileve tjera në fushën e efiçiencës së energjisë, burimeve të ripërtëritshme dhe mbrojtje të mjedisit. Deri më sot, përmes Qendrës për Energji dhe Qëndrueshmëri janë trajnuar dhe certifikuar 272 auditorë.