Çekia rezerva më e madhe e litiumit në botë – Cilat janë planet për shfrytëzimin e mineraleve?
15 Shtator, 2023

Leximi i këtij artikulli zgjatë: 6 minuta
Në malet xeherore të Çekisë ka depozita të mëdha litiumi. Qeveria shpreson se “ari i bardhë” do të çojë përpara ekonominë e Republikës Çeke dhe do të zhvillojë rajonin e Usti. Por jo të gjithë janë entuziastë.
Qyteti Cinovec në kufirin gjermano-çek ka nën vete një thesar. Në nëntokën e vendit që ndodhet afro 100 kilometra larg Pragës, mendohet të jenë 3 deri pesë përqind e rezervave botërore me litium.
Metali i lehtë ka fituar shumë rëndësivitet e fundit. Kjo për shkak se litiumi përdoret, ndër të tjera, në prodhimin e baterive, pa të cilat është e pamundur të përfytyrohet transformimi energjetik dhe makinat elektrike. Çmimet për litiumin janë aq të larta saqë tani edhe Çekisë do t’i leverdiste të hapte miniera.
Sipas një studimi të Dhomës Çeke të Tregtisë, Republika Çeke i ka shteruar të gjitha burimet e rritjes ekonomike. Prandaj vitet e ardhshme vendi kërcënohet nga një stanjacion ekonomik. Minierat e litiumit mund t’i japin ekonomisë çeke një nxitje të re, shpreson kryeministri Petr Fiala.
“Litiumi është një lëndë e parë kyçe për lëvizshmërinë elektrike, veçanërisht për prodhimin e baterive. Kjo është arsyeja se pse po punojmë për të hapur minierat sa më parë, mundësisht qysh në vitin 2026,” tha Fiala.
Litium për 1 milion makina elektrike
Fshati Cinovec ndodhet në mes të një rajoni minerar. Eksplorimet e para të bëra në vitet 2010 kanë treguar se rajoni përmban nivele të konsiderueshme litiumi. Pjesa më e madhe është në Çeki, por një sasi e vogël ndodhet edhe në Zinnwald të Gjermanisë. Republika Çeke ka nënshkruar tashmë një marrëveshje bashkëpunimi me Saksoninë për nxjerrjen e Litiumit. Nga ana çeke, minierat e litiumit do të operojnë nga Kompania Energjetike e Çekisë (CEZ) që kontrollohet nga shteti.
Llogaritet që në Cinovec të prodhohen 2,25 milionë tonë mineral në vit, gjë që do të mundësonte prodhimin e pothuajse 30 000 tonësh hidroksid litiumi. Sipas vlerësimeve aktuale, sasia e xeherorit të nxjerrë duhet të jetë e mjaftueshme për të prodhuar pothuajse një milion bateri makinash në vit.
Republika Çeke planifikon t’i prodhonte vetë bateritë.
“Ne mund të mbulojmë të gjithë zinxhirin nga miniera, përpunimi, prodhimi i baterive, prodhimi i çipeve deri në prodhimin përfundimtar të makinave,” tha Fiala. Ai shpreson se minierat e litiumit mund të bëhet një motor ekonomik për rajonin.
Rajoni litiumi dhe jo më rajon qymyri?
Rajoni Ústí është një nga më të varfrit në Republikën Çeke. Deri në vitet 1990 të ardhurat kryesore rajoni i merrte nga linjiti. Por fundi i prodhimit të energjive fosile ka lënë probleme të mëdha strukturore dhe plagë në peizazhe, më shumë se 100 vendbanime gllabëruan atëherë nga gërmuesit.
Është llogaritur se periudha 25-vjeçare e litiumit do të hapte punë për mijëra minatorë. Plani për të ndërtuar një gigafactory për prodhimin e baterive të makinave elektrike do të sillte gjithashtu vende pune dhe të ardhura në rajon. CEZ është optimist se minierat mund të fillojnë nga puna në katër vjetët e ardhshëm.
Rajoni Usti do t’i përkrahë investimet në miniera, vetëm nëse ato janë sa më miqësore ndaj mjedisit. “E shoh mundësinë e minierave të litiumit si një mundësi,” thotë Jan Schiller, administrator i qarkut të rajonit dhe anëtar i partisë opozitare ANO. “Por shumëçka varet nga kushtet kornizë që negociohen. Kemi ende kujtime të gjalla të pasojave negative të minierave të qymyrgurit në rajon. Çdo dëmtim dhe përkeqësim i kushteve të jetesës duhet të kompensohet në masën e duhur,” i tha DW administratori i qarkut.
Frikë nga pasojat mjedisore
Ashtu si me çdo nxjerrje të lëndëve të para, minierat e litiumit kanë gjithashtu një ndikim në mjedis. Në Amerikën e Jugut, ku në të ashtuquajturin “trekëndësh litiumi” midis Bolivisë, Kilit dhe Argjentinës ndodhen rreth 70% e rezervave të litiumit në botë, ka rënë ndjeshëm niveli i ujërave nëntokësore për shkak të shëllirave të litiumit.
Në disa raste të pakujdesisë së kompanive minerare janë kontaminuar edhe ajri, uji dhe toka. Në Cinovec, litiumi do të nxirrej nga shkëmbi. Kjo metodë e nxjerrjes kërkon shumë ujë – dhe është shumë më e shtrenjtë se me shëllirë.
Sipas kompanisë energjitike CEZ, procesi i miratimit për minierat e litiumit do të nisë në fund të vitit 2023. Megjithatë, kompania duket të ketë pak dyshime rreth përfundimit të procedimeve: ajo ka blerë tashmë një parcelë toke për një fabrikë përpunimi litiumi, për një miliard koruna çeke – rreth 40,8 milionë euro.
//Gazeta Express