Çdo vit vazhdon të shpyllëzohet Kosova
November 27, 2024

Zjarre masive, prerje ilegale… Rreth 550 hektarë pyje dëmtohen në vit në Kosovë, sipas të dhënave të organizatës joqeveritare Sustainability Leadership Kosova.
Pamjet satelitore e dëshmojnë se si kanë ndryshuar pyjet e Kosovës ndër vite.


Dëmet më të mëdha i kanë pësuar pyjet në zonat kufitare të Kosovës. SLK-ja thotë se në këto zona monitorimi i pyjeve është më i vogël, gjë që mundëson prerjet ilegale të drunjve. Të dhënat e SLK-së thonë se, mes viteve 2000 dhe 2022, Kosova humbi gati 16 mijë hektarë tokë pyjore apo nga 2 deri në 3.5 hektarë në ditë.
Sipas të dhënave të Agjencisë Pyjore të Kosovës, vetëm rreth 10-15 për qind e drunjve në toka pyjore në vend priten sipas legjislacionit në fuqi. Për ta luftuar trendin e shpyllëzimit, kjo agjenci mbjell çdo vit fidanë të drunjve. Vitin e kaluar u pyllëzuan mbi 140 hektarë, ndërsa këtë vit planifikohet pyllëzimi i 100 hektarëve.


Megjithatë, institucionet dhe OJQ-të fajësojnë sistemin gjyqësor për trendin e shkatërrimit të pyjeve dhe bëjnë thirrje për dënime më të mëdha.
Shumica e pyjeve në Kosovë janë pyje të ulëta. Por, nga gjithsej 430 mijë hektarët e tokës pyjore në Kosovë, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës 82 mijë hektarë cilësohen si pyje të degraduara.
/Radio Evropa e Lirë

