Bullgaria me projekte në vlerë prej 5.6 miliardë eurosh për të zëvendësuar qymyrin
January 23, 2024

Termocentralet me qymyr në Bullgari mund të mbyllen më herët se që është planifikuar pasi nuk do të jenë konkurrent më në treg. Operatorët dhe ndërmarrjet që menaxhojnë këto termocentrale janë në garë të përfitimit nga fonde të BE-së për të vendosur teknologji më të pastërta në zona që janë ndikuar nga ndotja si dhe të mirëmbajnë vendet e punës.
Në këtë vend ka shumë projekte që po zhvillohen për panele solare, panele lundruese, hidrogjen të gjelbër, kapje të karbonit, ruajtje të energjisë, desulfurizim, djegie të mbeturinave dhe biomasës, si dhe fabrika që po hapen për panele diellore dhe bateri, raporton Balkan Green Energy News.
Pas shumë viteve, procesi i largimit të qymyrit në Bullgaria tashmë ka marrë hovin, por kjo do të sjellë shumë rreziqe të humbjes së vendeve të punës në industri si dhe në zona të minierave dhe termocentraleve. Operatorët e këtyre impianteve, edhe nëse të njejtat janë të vjetra dhe jo-efiqiente, tashmë do të ballafaqohen me tregun e lire dhe me pak mundësi mbijetimi.
Afati për largimin e qymyrit në Bullgari është 2038.
AES Corp. ka thënë se planifikon të dekomisonojë pjesën më të madhe të kapaciteteve të tyre në impiantin e Galobovo – AES Maritsa East 1 deri në vitin 2025, ndërsa qymyrin në tërësi në vitin 2027.
Kjo kompani me bazë në Shtete të Bashkuara të Amerikës, gjithashtu kan ë pronësi Saint Nikola, apo parkun më të madh të erës në Bullgari. AES ka thënë se është duke konsideruar kalimin në biomasë, gaz natyror dhe mbetje. Një nga mundësitë tjera është edhe përdorimi i teknologjisë me shkrirje të kripës për ruajtjen e energjisë.
Edhe ndihma nuk po mungon. Ministria e Energjisë në Bullgari ka pranuar më shumë se 70 propozime nga 32 ndërmarrje në thirrjen publike prej 1.2 miliardë dollarësh të mbështetur nga Fondi i Bashkimit Evropian për Tranzicion të Drejtë, kanë raportuar mediat lokale. Tashmë po vazhdon faza e vlerësimit të shprehjeve të interesit. Projektet janë në vlerë prej 5.6 miliardë eurosh, por përkrahje tjetër do të sigurohet përmes fondeve tjera të BE-së, thuhet në artikull.
Investimet e reja potenciale parashikojnë krijimin e më shumë se 10,000 vendeve të reja të punës, mbi 11,000 vende s aka për momentin. Për krahasim, vetëm minierat në pronësi shtetërore në Marista kanë rreth 9100 të punësuar.
Në anën tjetër, prodhuesi bullgar i baterive Monbat ka dorëzuar dy projekt propozime në vlerë prej 560 milionë eurosh. Që të dy këto projekte do të zbatohen në Galabovo. Njëri ka të bëjë me bashkëpunim industrial dhe inovacion, ndërsa tjetri për prodhim të qelizave të baterive dhe pajisjeve të ruajtjes së energjisë për industri dhe mobilitet elektrik.
Fabrika mund të ndërtohet qysh në 2029, kanë thënë nga kompania, të cilët gjithashtu kanë shtuar se projektet nuk mund të financohen pa përkrahje qeveritare.
Edhe termocentrali tjetër në pronësi të ContourGlobal, Maritsa East 3, është duke përgatitur investime në vlerë prej më shumë se 700 milionë eurosh. Këto investime përfshijnë trajnimin e personelit për të kaluar në energji solare dhe ruajtje të energjisë.
Minierat jugore në Maritsa, termocentrali Maritsa East 2 dhe Ndërmarrja Kombëtare e Energjisë Elektrike (NEK) janë kryesisht të orientuara drejt energjisë së ripërtëritshme dhe hidrogjenit të gjelbër. Për më shumë, NEK ka në plan vendosjen e dy sistemeve lundruese solare me bateri në rezervoaret e Rozov dhe Ovcharitsa.
Brickel, termocentrali më i vjetër në Bullgari, ka pesë projekte në vlerë prej 511 milionë eurosh. Ideja është të ndrtohen tri turbina të hidrogjenit dhe tri të avullit me kapacitet të përgjithshëm prej 120 megavatësh.
Një investim tjetër potencial ka të bëjë me energjisë solare duke përfshirë edhe sistemin për ruajtje të energjisë dhe prodhimin e hidrogjenit të gjelbër. Ndërmarrja është duke planifikuar gazsjellës, rindërtimin dhe zgjerimin e rrjetit të ngrohjes si dhe një impiant për trajtimit e gipsit të mbetur pas desulfurizimit.
Planet nuk kanë të ndalur. Elhim iskra ka dorëzuar kërkesë për një fabrikë të baterive me acid plumbi, por edhe për një njësi të prodhimit të një lloji të baterive për familjet dhe përdoruesit industrialë. Edhe prodhuesi i pajisjeve industriale Metalik ka planifikuar investimit e 46 milionë eurosh për hidrogjenin e gjelbër.
Smart Energy Group po planifikon ndërtimin e një fabrike për qeliza të paneleve solare me investim prej 123 milionë eurosh.
Sistemet e baterive, bashkë me fabrikat që do të prodhojnë këto pajisje, do të ndihmojnë investitorët dhe operatorët e rrjetit të integrojnë impiantet e erës dhe ato solare.
Vetëm vitin e kaluar, në Bullgari janë dorëzuar 2047 aplikime për kapacitete totale të energjisë së ripërtëritshme prej 7.2 gigavatësh. 91 nga këto kishin kërkesa për kyqje në rrjetin e transmetimit, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 4.9 gigavatësh, ndërsa pjesa tjetër në sistemin e distribuimit të energjisë elektrike.
Për krahasim, është bërë nënshkrimi i 813 marrëveshjeve preliminare dhe finale për kyqjen e kapaciteteve të reja të gjelbërta, me kapacitet të përgjithshëm prej 6.6 gigavatësh. Në Bullgari tashmë operojnë 13 gigavat kapacitete të energjisë së ripërtëritshme.