Search

Britani: Energjia e erës për 1.2 milion shtëpi humbet për shkak të mungesës së mundësive të ruajtjes së energjisë

February 06, 2023


Energji elektrike e prodhuar nga burimet e erës, e mjaftueshme për të furnizuar 1.2 milion shtëpi në ditë në Britani të Madhe, është humbur për shkak të mungesës së kapaciteteve për ruajtjen e energjisë shtesë të gjeneruar gjatë ditëve të ftohta, sipas një studimi të ri.

Operatori i rrjetit kombëtar ka kërkuar që turbinat e erës, të cilat do të prodhonin rreth 1.35 teravat orë energji elektrike gjatë muajve tetor dhe janar, të ndërprejnë prodhimin për shkak se nuk ishin të nevojshme në kohë të ndryshme për të mbuluar kërkesën, sipas raportit të ri të Stonehaven.

Kjo ndodhë pasi turbinat e erës prodhojnë rrymën atëherë kur ka erë, dhe në shumë raste, erë ka atëherë kur nuk ka kërkesë për rrymë.

Në anën tjetër, termocentralet djegën gaz për rreth 65 teravat-orë për të mbuluar kërkesën atëherë kur shpejtësia e erës ishte më e ulët dhe kur turbinat nuk po prodhonin mjaftueshëm.

Sipas analizës së Stonehaven, kapacitetet shtesë për magacinimin e energjisë elektrike janë më se të nevojshme, për të mos lejuar humbjen e energjisë elektrike të prodhuar nga turbinat erës.

‘Duke ruajtur dhe magacinuar energjinë shtesë të prodhuar nga burimet e ripërtëritshme, për momentin forma më e lirë dhe e sigurtë e prodhimit të energjisë elektrike në Britani të Madhe, ne mund të energjizojmë shtëpitë dhe bizneset në Britani me energji të gjelbër dhe të ripërtëritshme, duke shmangur kështu emetimin e miliona ton karboni në atmosferë si dhe mbështetjen në importet e kushtueshme të huaja’, ka thënë Rupert Pearce, udhëheqësi i një ndërmarrje që merret me magacinimin e energjisë.

Oferta dhe kërkesa e energjisë elektrike duhet të përputhen vazhdimisht, që do të thotë se turbinat me erë mund të paguhen për t’u fikur edhe atëherë kur fryn shumë erë, ose nëse kur nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të transmetuar këtë energji elektrike atje ku është e nevojshme.

E gjithë bota është në përpjekje të zhvillimit të më shumë kapaciteteve të magacinimit, në mënyrë që energjia elektrike që prodhohet nga turbinat atëherë kur ka mjaftueshëm erë, të ruhet dhe kursehet dhe të përdoret atëherë kur ka nevojë, në vend që turbinat të fiken.