Search

Bordi i ZRRE-së mban takim me përfaqësues nga Franca dhe Gjermania

March 18, 2026


Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji, ZRRE, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) dhe delegacionin e KfW-së.

Sipas njoftimit për media, gjatë këtij takimi, Bordi i ZRRE-së informoi partnerët ndërkombëtarë mbi zhvillimet më të fundit në sektorin e energjisë në Kosovë, me theks të veçantë në avancimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe reformat rregullatore që ndërlidhen me këtë proces.

Në veçanti, u diskutua për progresin në hartimin dhe finalizimin e legjislacionit sekondar, duke përfshirë Metodologjinë për Kufizimin e Energjisë dhe Rregullën për Mekanizmin Mbështetës, si dhe akte të tjera nënligjore që janë në proces përgatitjeje ose tashmë janë finalizuar. Këto zhvillime synojnë krijimin e një kornize të qëndrueshme dhe të harmonizuar me praktikat evropiane për integrimin e burimeve të ripërtëritshme në tregun energjetik, raporton Kosovo Energy.

Mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes asistencës teknike në hartimin dhe avancimin e këtyre dokumenteve rregullatore, është mjaft e vlerësuar nga ZRRE.

Në njoftimin e tyre, Rregullatori ka cekur se mbeten të përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe për të avancuar më tej zhvillimin e sektorit energjetik, në funksion të sigurimit të një sistemi të qëndrueshëm, transparent dhe konkurrues për qytetarët.