Search

Bordi i ZRRE miraton të hyrat e lejuara maksimale, kërkon nga operatorët të dorëzojnë kërkesat për tarifat e reja

March 22, 2024


Në mbledhjen e fundit, bordi i ZRRE ka miratuar të hyrat e lejuara maksimale për operatorët, dhe nga të njejtit ka kërkuar të dorëzojnë kërkesat për tarifat e reja, bazuar në të hyrat e lejuara. Në të njejtën mbledhje, bordi ka aprovuar edhe 37 kërkesa të konsumatorëve për vet-konsum.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në mbledhjen e tij të dytë për këtë vit, të mbajtur më 22 mars 2024 ka miratuar të Hyrat e Lejuara Maksimale (MAR) të operatorëve të Transmetimit/Tregut (KOSTT), Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesit me Shërbim Universal (KESCO).

Vlera e përgjithshme e miratuar e MAR-it për periudhën rregullative prill 2024 – mars 2025 është vendosur të jetë 399.62 milion euro. Me këtë rast Bordi ka kërkuar nga operatorët që bazuar në të hyrat e lejuara, të dorëzojnë sa më shpejt që është e mundur kërkesat për tarifat e reja të cilat do të miratohen në seancën e ardhshme të Bordit.

Në këtë seancë, Bordi ka shqyrtuar dhe miratuar kërkesën e Bursës Shqiptare të Energjisë për zgjatje të afatit të listës së tarifave të ALPEX për zonën e ofertimit të Republikës së Kosovës.

Bordi i ZRRE-së në këtë seancë ka miratuar edhe Bilancin Vjetor të Energjisë Termike për vitin 2024 për ndërmarrjet NQ Termokos dhe NQ Gjakova. Qëllimi kryesor i miratimit të Bilancit Vjetor të Energjisë Termike është që të projektoj përmbushjen e nevojave të konsumatorëve që furnizohen me energji termike, në sasi të mjaftueshme gjatë sezonës ngrohëse.

Në këtë seancë Bordi ka aprovuar 37 kërkesa të konsumatorëve për autorizim për vetë-konsum nga të cilat 11 vijnë nga ndërmarrjet dhe 26 nga personat fizik.

Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe disa ankesa të konsumatorëve dhe çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e sektorit si dhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji.