Blloka e linjës transmetues po rritë kostot e importit – A ka mundësi të lirohen 600MW kapacitet transportues?
March 02, 2026

Kur Kosova paguan deri në 800€ për të transportuar 1MWh energji, qytetarët nuk paguajnë vetëm për rrymën që u shkon në prizë.
Në fatura paguhet edhe për pasojat e një bllokade politike, për tensionet me fqinjët dhe për dobësitë e një sistemi energjetik që nuk arrin t’i mbulojë nevojat bazë të vendit.
Që nga viti 2020, kur Serbia bllokoi linjën e transmisionit me Kosovën, u kufizuan rrugët më të shkurtra dhe më të lira për importimin e energjisë, duke e detyruar vendin të përdorë alternativa më të kushtueshme.
Me shpalljen e tarifave të reja vjetore, që pritet të bëhet deri në fund të këtij muaji, pasiguria vazhdon të mbetet e lartë, pasi nuk përjashtohet mundësia e një tjetër rritjeje të çmimit të energjisë elektrike.
Shpresë për ndryshim ka, pasi Serbia është obliguar që deri më 1 korrik të lejojë tregtimin e energjisë me Kosovën, por mbetet e paqartë nëse ky vendim do të zbatohet në praktikë.
Pse Kosova importon energji?
Prodhimi i KEK nuk mjafton për të përballuar kërkesën e konsumatorëve për energji elektrike, sidomos gjatë dimrit.
Termocentralet me qymyr janë të vjetra dhe shpesh ndalojnë së punuari, për shkak të prishjeve dhe mirëmbajtjes, ndërsa prodhimi nga burimet e ripërtëritshme mbetet i vogël.
Vetëm nga janari deri në nëntor të vitit të kaluar, Kosova shpenzoi rreth 250 milionë euro për blerje të energjisë nga jashtë vendit.
Mirëpo, nga ku dhe sa importon Kosova energji elektrike?
Në dekadën e fundit, Sllovenia ka dominuar tregun e energjisë elektrike drejt Kosovës, duke eksportuar mbi 375 milionë euro energji. Pas saj renditen Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, ndërsa vende të tjera si Bullgaria, Greqia, Zvicra dhe Kroacia kanë kontribuar në import, por në shumë më të vogla.
Çmimet e transportit arritën në nivele astronomike – deri në 800€/MWh në ditë të caktuara gjatë vitit të kaluar, sipas Ministrisë së Ekonomisë.
Autoritetet e konsiderojnë bllokimin e linjës së transmisionit nga Serbia si faktorin kryesor që rrit kostot e importit dhe të transportit.
Për një vend me rreth 1.5 milion banorë dhe një ekonomi në zhvillim, këto kosto përbëjnë një barrë të konsiderueshme financiare, pasi rritja e shpenzimeve për energji ndikon jo vetëm në buxhetin e shtetit, por edhe në konkurrueshmërinë e bizneseve dhe në rritjen e çmimeve për konsumatorët.
“Si pasojë e bllokadës nga ana e Serbisë, deri në 600 MW kapacitet transmisioni në kufirin Kosovë-Serbi nuk shfrytëzohet për shkëmbime komerciale – çfarë ushtron presion të vazhdueshëm mbi linjat e tjera ndërkufitare”, thonë nga Ministria e Ekonomisë e Kosovës për Radion Evropa e Lirë.
Origjina e bllokadës
Problemi filloi në dhjetor të vitit 2020, kur Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës KOSTT filloi zyrtarisht të operojë në mënyrë të pavarur.
Kosova doli nga blloku rregullues me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut dhe u bashkua me Shqipërinë, duke aktivizuar linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, e njohur si “Autostrada energjetike Kosovë-Shqipëri”.
Që nga ajo kohë, Serbia bllokoi linjat e transmisionit të energjisë në Kosovë, dhe vendi u detyrua të tregtonte përmes kufijve me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, ky devijim “politik” i ka kushtuar Kosovës miliona euro në vit – konkretisht rreth 150 milionë vetëm në vitin 2024.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe kundërshton pjesëmarrjen e saj të plotë në mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë sektorin energjetik.
Në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, dy vendet arritën Marrëveshje për Energjinë në vitet 2013 dhe 2015, ndërsa në qershor 2022 miratuan edhe Udhërrëfyesin për zbatimin e tyre. Por, si shumë të tjera, as ato nuk u zbatuan kurrë plotësisht.
KOSTT-i konfirmon se Elektro-ekonomia e Serbisë (EMS) nuk ka nënshkruar ndonjë marrëveshje për tregtim të kapaciteteve me Kosovën.
“Që nga ajo periudhë [2020] e deri më sot nuk ka pasur dhe vazhdon të mos ketë tregti komerciale të energjisë elektrike në kufirin me Serbinë”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it për Radion Evropa e Lirë.
Përpjekjet për zgjidhje
KOSTT e ka ngritur këtë problem në nivel rajonal dhe evropian, duke hapur rast në Komunitetin e Energjisë.
Dhjetorin e kaluar, Kosova mori kryesimin e kësaj organizate ndërkombëtare, qëllim i së cilës është ta mbështesë rrugën e vendeve anëtare të saj drejt anëtarësimit në BE, përmes zbatimit të ligjeve energjetike të BE-së.
Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë vendosi atëkohë që Serbia duhet të lejojë tregtimin e energjisë me Kosovën më së largu deri më 1 korrik 2026.
Kosova merr Presidencën e Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë – Lëshohet dhe përçuesi Kosovë-Serbi
“Ky bllokim, i cili ka vazhduar për më shumë se pesë vjet, ka shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta negative në funksionimin e sistemit energjetik të Kosovës, duke rritur ngarkesën e rrjetit dhe kostot e transmisionit përmes linjave alternative me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Republikën e Shqipërisë”, tha ministrja e Energjisë, Artane Rizvanolli, dhjetorin e kaluar.
Ministria e saj zotohet se do të monitorojë nga afër zbatimin e këtij vendimi.
Nëse bllokada vazhdon, Kosova do të mbetet e detyruar të importojë energji përmes rrugëve më të gjata dhe më të shtrenjta, duke rritur më tej kostot për qytetarët dhe ekonominë.
Në afat të gjatë, kjo situatë mund të ndikojë edhe në sigurinë energjetike të vendit dhe në aftësinë e tij për të tërhequr investime.
/Telegrafi