Search

Bizneset pa furnizues kanë filluar të shkyçen nga rrjeti – A është duke u terruar hapsirav e bizneseve në vend?

August 17, 2025


Këtë vikend KEDS ka nisur shkyçjen e bizneseve që nuk kanë lidhur marrëveshje me furnizues energjie të licencuar.

Operatorit i rrjetit të shpërndarjes, KEDS, ka njoftuar se ligjërisht nuk do të mundë të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për ato kompani që nuk kanë arritur akoma marrëveshje me ndonjërin prej furnizuesve të licencuar nga ZRRE-ja.

“Mbi bazën e kësaj dhe në respektim të Legjislacionit në fuqi, ju njoftojmë se sot (më datën 16 gusht) kemi filluar shkyçjen e rreth 450 bizneseve, të cilat nuk u janë përfillur thirrjeve të vazhdueshme për lidhjen e marrëveshjes me një Furnizues, pavarësisht se i plotësonin kushtet për dalje në treg të hapur të energjisë elektrike. Po ashtu, ju njoftojmë se në emër të këtyre bizneseve janë identifikuar mbi 1400 njehsorë elektrikë, prej të cilëve mbi 600 janë njehsorë smart që do të shkyçen nga distanca, ndërkaq pjesa tjetër do të shkyçen fizikisht te këto kompani, për çka KEDS-i ka mobilizuar ekipe në terren gjithandej në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Deri më tani 90% e bizneseve janë shkyçur nga furnizimi me energji elektrike, ndërsa pjesa tjetër e mbetur do të shkyçen gjatë ditëve të ardhshme.

Lulzim Krasniqi nga KEDS ka thënë për KosovaPress se gjatë ditës së diel nuk ka pasur shkyçje të bizneseve nga rrjeti energjetik pasi është ditë pushimi, por një gjë e tillë do të vazhdojë javën tjetër.

“Shumica e mbi 1400 njehsorëve elektrikë, të identifikuar si prona të kompanive, janë shkyçur gjatë ditës së djeshme, janë diku 90 për qind e atyre janë shkyçur. Pjesa tjetër e mbetur do të shkyçen në ditët në vijim, nëse nuk arrijnë marrëveshje me ndonjë nga furnizuesit e licencuar nga ZREE-ja”, ka thënë ai.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë përmes një reagimi ka thënë se procesi ka një mori shkeljesh ligjore dhe procedural, derisa ka apeluar Qeverinë e Kosovës dhe ZRRE-në që të pezullojnë menjëherë zbatimin e vendimit dhe të hapin një proces të rishqyrtimit transparent.

“Ne ritheksojmë se forma e zgjedhur nga ZRRE, e përkrahur në heshtje nga të gjitha institucionet relevante, do të shkaktojë pasoja të rënda për ekonominë e vendit, përfshirë rritje të ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike, rritje të çmimit të produkteve, rrezikimin e mijëra vendeve të punës, uljen e prodhimit vendor dhe mbytjen e tij nga importet që po rriten çdo ditë dhe mbylljen e një numri të madh veprimtarish biznesore”, thuhet në reagimin e DhTIK.

Se do ta vazhdojnë betejën ligjore ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, kanë thënë edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës duke paralajmëruar mundësinë e ngritjes së çështjes në Gjykatën Supreme dhe nëse është e nevojshme, edhe në atë Kushtetuese.

Shkyçjen e qindra bizneseve nga rrjeti i furnizimit me energji elektrike nga KEDS e ka quajtur persekutim Lidhja Demokratike e Kosovës teksa kjo parti i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që të merret sa më parë me institucione siç janë Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe asessi të mos mbetet e pa ndëshkuar.

Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës shkyçjene bizneseve nga rrjeti i energjisë elektrike e ka cilësuar si një katastrofë kombëtare ekonomike duke theksuar se kjo situatë rrezikon mbi 100 mijë familje në Kosovë, për shkak të mungesës së furnizimit me energji dhe ndërprerjes së aktivitetit ekonomik të bizneseve.

Reagime ka pasur edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila ka theksuar se bizneset e Kosovës kanë mbetur në mëshirë të mafisë energjetike.

/Telegrafi