Search

Besimi: Rreth 190 milionë euro nga BERZH për financimin e Shkup-Bllacë, EF Oslomej 2 dhe EF Manastir

29 Qershor, 2022


Me 188 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të mbështetet ndërtimi i tri projekteve shumë të rëndësishme infrastrukturore në vend: autostrada Shkup – Bllacë dhe elektranat fotovoltaike EF Oslomej 2 dhe EF Manastir. Dje, Kuvendi dha dritë jeshile për dy ligjet në lidhje me garancinë shtetërore, të cilët u hartuan nga Ministria e Financave. Mjetet do të jenë të disponueshme pas nënshkrimit të marrëveshjeve nga BERZH-i, Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore, Elektranat e Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Financave.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, së fundmi theksoi se realizimi i këtyre projekteve është jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin e vendit.

Përmes ndërtimit të nënaksit të dytë të autostradës Shkup – Bllacë me gjatësi prej 10.5 km, do të përmirësohet në mënyrë të konsiderueshme mobiliteti, shkëmbimi tregtar dhe siguria rrugore, do të shkurtohet kohëzgjatja e udhëtimit dhe do të rriten mundësitë për zhvillimin socio-ekonomik, si në nivel nacional ashtu edhe në atë rajonal.

Projekti do të zbatohet nga NPRRSH-ja dhe do të financohet me mjete financiare nga BERZH-i në vlerë prej 167.6 milionë eurove, grant investues nga WBIF-ja në vlerë prej 20.82 milionë eurove dhe grant për ndihmë teknike nga WBIF-ja (përkrahje teknike për zbatimin e projektit dhe mbikëqyrjes) në vlerë prej 5.68 milionë eurove.

Gjithashtu, BERZH-i ndan grant prej 0.35 milionë eurove për zhvillimin e strategjisë nacionale të e-mobiliteti dhe planit aksional të infrastrukturës rrugore.

Në kushtet e krizës energjetike, realizimi i projektit të EMV-së për tranzicionin drejt fotovoltaikëve solar është jashtëzakonisht i rëndësishëm, i cili përfshin ndërtimin e EF Oslomej 2 me kapacitet të instaluar 10 MW dhe EF Manastir me 20 MW, zbatuesi i të cilit do të jetë EMV-ja. Ky investim do të kontribuojë në krijimin e vendeve të reja të punës, të cilat do të ndikojnë pozitivisht në aspektin social në këto dy rajone, ku planifikohet ndërtimi i dy elektranave fotovoltaike.

“Qëllimi kryesor i Projektit të EMV-së për tranzicionin drejt fotovoltaikëve solar është që të ndihmojë në arritjen e normave evropiane për emetimin e gazrave serrë, në arritjen e qëllimeve dhe angazhimeve ekologjike të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Do të ketë efekt pozitiv në mjedisin jetësor, sepse me fillimin e punës së elektranave fotovoltaike, do të ulet prodhimi i energjisë elektrike nga termocentralet”, theksoi Besimi, duke arsyetuar ligjin në Kuvend.

Vlera e përgjithshme e investimit të projektit është 25.5 milionë euro, i cili financohet nga SHA EMV- Shkup përmes huas nga BERZH-i me vlerë prej 19.8 milionë eurove të siguruar me garanci shtetërore, me grant nga WBIF-ja me vlerë prej 5 milionë eurove dhe me mjete vetanake me vlerë prej 0.7 milionë eurove.

//gazetaexpress