Search

BE rrit objektivat për energjinë e ripërtëritshme

September 17, 2023


Ligjvënësit e Bashkimit Evropian miratuan ligjin e ri për të zgjeruar kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme më shpejt këtë dekadë, një pjesë e rëndësishme kjo e planeve të Evropës për të frenuar ndryshimet klimatike dhe për t’u larguar nga karburantet fosile.

Ligji rrit ndjeshëm objektivat e Bashkimit Europian për energjinë e ripërtëritshme, pasi kërkon që 42.5% e energjisë së Unionit të jetë e rinovueshme deri në vitin 2030, duke zëvendësuar objektivin aktual prej 32%.

Vendet anëtare të Bashkimit Europian duhet të japin dritën jeshile për projektligjin përfundimtar përpara se të hyjë në fuqi. Por ky nuk duket të jetë një problem, duke parë votat në Parlament, ku një shumicë dërrmuese prej 470 deputetësh votoi pro, 120 kundër dhe 40 abstenuan.

Markus Pieper, negociatori i Parlamentit për draftin, tha se ligji i ri do të lejonte miratimin më të shpejtë të projekteve të reja të ripërtëritshme, si panelet diellore, parqet eolike, hidrocentralet apo projekte të tjera që nuk mund të imagjinohen ende dhe do të inkurajonte teknologjitë e reja.

Objektivat e reja – të cilat përfshijnë synime specifike për të rritur përdorimin e burimeve të ripërtëritshme në transport dhe industri – synojnë të nxisin investimet për të zgjeruar masivisht energjinë e diellit dhe erës.

Brukseli shpreson se kjo mund të bëhet duke përdorur më shumë prodhim vendas. Kina aktualisht furnizon shumicën e pjesëve të përdorura në instalimet evropiane të energjisë diellore.

Industria Diellore e Evropës paralajmëroi Komisionin Evropian të hënën, se një rënie e çmimeve të moduleve – e nxitur pjesërisht nga konkurrenca e ashpër midis furnitorëve kinezë – po i shtynte prodhuesit evropianë drejt falimentimit.

Evropa mori 22% të energjisë së saj nga burimet e rinovueshme në vitin 2021, viti i fundit për të cilin janë të disponueshme të dhënat zyrtare të BE-së.