BE po tenton të largoj makinat elektrike kineze nga tregu i saj
15 Shtator, 2023

Leximi i këtij artikulli zgjatë: 3 minuta
Komisioni Europian nisi dje një hetim mbi mundësinë për të vënë tarifa ndëshkuese për të mbrojtur prodhuesit e Bashkimit Europian nga importet e makinave elektrike kineze, që sipas KE, po përfitojnë nga subvencione shtetërore.
“Tregjet globale tani janë përmbytur nga makina elektrike mjaft ekonomike. Dhe çmimi i tyre mbahet artificialisht i ulët nga subvencionet e mëdha shtetërore” – deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në fjalimin e përvitshëm të Parlamentit.
Komisioni do të këtë 13 muaj kohë për të vlerësuar nëse do të vendosë tarifa më të larta se norma standarde 10% për makina.
Hetimi antisubvencione lidhet me makina me bateri që vijnë nga Kina, duke përfshirë edhe markat jokineze që prodhohen në Kinë si Tesla, Renault dhe BMW. Hetimi është i pazakontë pasi ka nisur nga vetë Komisioni Europian. Zakonisht një reagim vjen pas ankesave të industrisë, jo si iniciativë e vetë komisionit.
Dhoma Kineze e Tregtisë në BE tha se është shumë e shqetësuar dhe kundër fillimit të hetimit dhe se avantazhi konkurrues i sektorit nuk ka ardhur për shkak të subvencioneve. Ajo i kërkoi BE-së që të shikojë në mënyrë objektive automjetet elektrike kineze.
Tensionet mes Kinës dhe BE-së janë rritur, pjesërisht për shkak të lidhjeve më të ngushta mes Pekinit dhe Moskës, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. BE po përpiqet të zvogëlojë varësinë e saj nga ekonomia e dytë më e madhe në botë, veçanërisht në lidhje me materialet dhe produktet e nevojshme drejt tranzicionit të gjelbër.
Shtëpitë automobilistike europiane kanë kuptuar se duhet të luftojnë për të prodhuar makina elektrike me kosto më të ulët dhe të eliminojnë avantazhin e Kinës në zhvillimin e modeleve më ekonomike.
Prodhuesit kinezë të makinave elektrike, nga lideri i tregut BYD tek rivalët më të vegjël Xpeng dhe Nio po rrisin përpjekjet për t’u zgjeruar jashtë vendit, ndërsa konkurrenca në vend po intensifikohet.
Eksportet kineze të automobilave u rritën me 31% në gusht, sipas të dhënave të China Passenger Car Association (CPCA). Komisioni Europian deklaroi se përqindja e makinave elektrike të shitura në Europë nga Kina është rritur në 8% dhe mund të arrijë 15% në vitin 2025, duke theksuar se çmimet janë zakonisht 20% më të ulëta se modelet e prodhuara në Europë.
Ndër modelet kineze më të famshme të eksportuara në Europë janë MG i SAIC dhe Volvo i Geely.
//Monitor.Al