Search

BE përgatit ndryshimet në traktatin e energjisë ndërsa kritikat ndaj ndryshimeve klimatike rriten

February 18, 2021


Të hënën, Komisioni Evropian pritet të propozojë reforma për traktatin ndërkombëtar të energjisë, kanë thënë zyrtarë të BE-së, pasi disa qeveri kishin thënë se BE duhet të mendojë largimin nga marrëveshja për shkak se e njejta rrezikon qëllimet klimatike.

I nënshkruar me qëllim të mbrojtjes së investimeve ndërkufitare në sektorin e energjisë në vitin 1994, Traktati i Kartës së Energjisë (ECT) është ballafaquar me shumë kritika nga grupet mjedisore dhe qeveritë, nën pretendimet se po vështirëson përpjekjet e vendeve për të larguar gradualisht përdorimin e karburanteve fosile.

Marrëveshja lejon investitorët e huaj të kërkojnë kompensime financiare nga qeveritë nëse ndryshimet në politikat energjetike kanë ndikim negativ në investimet e tyre.

Ndër rastet e fundit të përfitimit brenda traktatit, kompania RWE muajin e kaluar ka kërkuar kompensim nga qeveria e Holandës në lidhje me planet për largim të qymyrit deri në vitin 2030, të cilat politike do të kishin ndikim negaiv në termocentralin Eemshaven në Holandë në pronësi gjermane.

Më shumë se 50 nënshkrues të traktatit do të takohen për të negociuar tekstin e azhurnuar të traktatit, ndërsa Komisioni Evropian pritet të tregojë qëndrimin këë të Hënë, kanë thënë zyrtarë të BE-së.

Disa nga vendet nënshkruese janë bërë të paduruara, pasi tri runde negocimi të vitit të kaluar dështuan të sjellnin rezultate.

Vikendin që shkoi, Spanja ka thënë se i ka shkruar udhëheqësve të BE-së për të kërkuar largimin e mundshëm nga traktati, nëse i njejti nuk mund të ri-disejnohet për të përkrahur planet e Evropës për zvogëlimin e emetimeve të gazrave serë.

‘Në fakt, negociatat nuk kanë prodhuar asnjë rezultat që prej kur kanë filluar në korrik të vitit 2020’, ka konfirmuar një zyrtar nga Spanja.

Spanja është duke kërkuar pajtueshmërinë e plotë të traktatit me Marrëveshjen e Parisit ose largimin nga traktati, ka konfirmuar Teresa Ribera në rrjete sociale, Ministre e Spanjës për Energji dhe Mjedis.

Ndërkohë, këtë vit Franca ka kërkuar nga vendet e BE-së largimin e përbashkët nga traktati nëse negociatat nuk sjellin rezultate ndërsa Luxemburgu ka kërkuar që traktati të përfundojë mbrojtjen e investimeve të karburanteve fosile.

Dështimi do të rrezikonte rrugëtimin e përbashkët drejt neutralitetit ndaj klimës, kishte paralajmëruar në letrën e tij ministri i energjisë në Luxemburg, Claude Turmes.

Aktivistët mjedisor në fakt përkrahin largimin e BE-së nga kjo marrëveshje. Ata thonë se nuk presin ndryshime kuptimplote pasi kjo do të kishte nevojë për miratimin unanim nga të gjithë nënshkruesit, mes tyre edhe Japonia, Turqia dhe të gjitha shtetet e BE-së pa Italinë, e cila la marrëveshjen në vitin 2016.