BE miraton planet e Rumanisë për subvencione 3 miliardë-euroshe për projekte të erës dhe solare
March 11, 2024

Komisioni Evropian ka miratuar planet e Rumanisë për të subvencionuar ndërtimin dhe operimin e projekteve të reja të prodhimit të rrymës nga burimet solare dhe të atyre të erës me vlerë prej 3 miliardë euroshe.
Përmes këtyre subvencioneve, Rumania synon të përshpejtojë tranzicionin e drejtë energjetik në pajtim me Marrëveshjen mbi Planin e Gjelbër Industrial, ka thënë Komisioni Evropian përmes komunikatës për media.
Skema është miratuar përmes Kornizës së Përkohshme të Krizës dhe Tranzicionit për ndihma shtetërore, të cilën komisioni e ka lansuar një vit më parë për të përkrahur masat në sektorë që janë të rëndësishëm në përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër dhe zvogëlimin e varësisë ndaj karburanteve.
Subvencionet do të shpërndahen përmes një procesi të hapur konkurrues deri në vitin 2025, thuhet në komunikatë.
Komisioni Evropian shtoi se subvencionet do të ndahen në formë të kontratave të dyanshme të diferencës (CfD).