Bateria më e madhe me kapacitet prej 1200 megavatësh do të ndërtohet në Uells Jugor të Australisë
February 05, 2021

Zhvilluesit planifikojnë ndërtimin e baterisë më të madhe për ruajtje të energjisë në luginën Hunter në shtetin e Uellsit Jugor në Australi në kuadër të projekteve të shumta të paralajmëruara së fundmi të sistemeve të ruajtjes së energjisë përmes batrive.
CEP Energy, ndërmarrja që po bën zhvillimin e këtij projekti, tha se bateria në vlerë prej 2.4 miliard dollarësh Australian, do të ketë kapacitet të përgjithshëm prej 1200 megavatësh, që është tetë herë më i madh se kapaciteti i baterisë më të madhe deri më tani, që ka filluar operimin në Hornsdale në Australi në vitin 2017.
Kapaciteti i kësaj baterije është dukshëm më i madh edhe se i baterive tjera të paralajmëruara së fundmi në Uellsin Jugor.
CEP Energy tha se ndërtimi i kësaj baterije po bëhet në kuadër të një grupi projektesh tjera që përfshijnë katër bateri me kapacitet të kombinuar prej 2,000 megavatësh. Kompania gjithashtu po planifikon vendosjen e paneleve solar për prodhim të energjisë elektrike me kapacitet prej 1,500 megavatësh në kulme të ndërtesave industrial.
CEP Energy ka konfirmuar se udhëzimet për energji të gjelbër të aprovuara nga parlamenti i Australisë vitin e kaluar, kanë nxitur zhvillimin e shumë projekteve të prodhimit të energjisë nga burime të ripërtëritshme në kombinim me sisteme të ruajtjes së energjisë përmes baterive.
Ai shtoi se pikërisht këto sisteme do të mundësojnë ‘pensionimin’ e termocentraleve me qymyr dhe gaz, duke përfshirë edhe mbylljen e termocentralit me qymyr në Liddell në fillim të vitit 2023.
CEP Energy ka thënë se ndërtimi i këtij sistemi për ruajtjen e energjisë përmes baterive do të fillojë në fillim të vitit 2022, ndërsa operimi i tij do të fillojë vitin në vijim, në 2023. Projekti do të ndërtohet në një nga pesë zonat ekonomike të destinuara për projektetë energjisë së ripërtëritshme.
Teknologjia e baterive në Australi është zhvilluar shumë më shpejtë se sa është parashikuar. Në vitin 2016, parashikimet supozonin se deri në vitin 2036 Australia do të ketë vetëm 4 megavat kapacitete të instaluara të baterive të mëdha për ruajtje të energjisë.
Vetëm në nëntorin e vitit të kaluar, në Australi ishin raportuar sisteme të ruajtjes së energjisë përmes baterive me kapacitet prej 287 megavatësh. Sistemet po operonin ose ishin në ndërtim.
Që nga kjo datë, Australia ka paralajmëruar plane për ndërtimin e më shumë se 2 gigavat të këtyre sistemeve në afat të shkurtë kohor.
Australia ka parashikuar se do të ketë nevojë për sisteme të ruajtjes së energjisë me kapacitet prej 6 – 19 gigavat për të mundësuar mbylljen e termocentraleve të vjetra me qymyr dhe gaz, dhe për të mundësuar zëvendësimin e tyre me projekte solare apo të erës.