Search

Bashkëpunimi ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor për të ardhmen energjetike të rajonit

25 Maj, 2023


Leximi i këtij artikulli zgjatë: 3 minuta

Përfaqësues të sektorit të energjisë thanë të mërkurën se tranzicioni energjetik dhe bashkëpunimi ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor janë thelbësore për të ardhmen energjetike të rajonit.

Këto komente u bënë gjatë një debati në kuadër të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm që po mbahet në Prishtinë, ku u diskutua për energjinë e pastër, dekarbonizimin e Ballkanit Perëndimor dhe burimet e ripërtërishme.

Zëvendësdrejtori i Sekretariatit të komunitetit për energji, Dirk Buschle, tha se ende ka pengesa në bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në sistemin energjetik, posaçërisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Fakti që ndërlidhësit energjetik ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk janë funksionalë, ne nga komuniteti energjetik nuk kemi qëndruar anash dhe kemi filluar nismat tona ligjore për këtë çështje, dhe në këtë aspekt do ta çojmë deri në fund, , të mos mbahen peng të proceseve që nuk duhet të jenë të lidhura me to”, tha ai.

Ai tha se nuk është e lehtë që modeli evropian i bashkëpunimit energjetik të përhapet edhe në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Zyrtarë të Kosovës dhe Shqipërisë thanë se bashkëpunimi i tyre i viteve të fundit në sektorin e energjisë ka treguar përfitime për të dyja vendet posaçërisht gjatë krizës energjetike me të cilën u përballen dyja vendet.

“Energjia nuk njeh kufij dhe këtë e ka theksuar edhe lufta në Ukrainë, problemi i njërit nga ne në tërë kontinentin është problemi i të gjithë neve, rrrjedhimisht edhe zgjidhjet duhet të jenë të përbashkëta dhe kjo është aq më tepër e vërtetë në rastin kur po flasim për sektorin e energjisë të së ardhmes në të cilion i gjithë rajoni dhe Evropa do të ketë shumë më shumë burime të ripërtrishme të energjisë të integruar në sistem”, tha ministrja e Ekonomisë në qeverinë e Kosovës, Artane Rizvanolli.

“Eksperienca e fundvitit 2021 dhe viti 2022 i gjithi na mësoi sit ë jemi nikoqiir dhe bashkëpunues për të pasur mundësi që me të gjithë fqinjët porn ë veçanti me Kosovën të kemi një bashkëpunim intenyiv, kooperim të planifikuar nga ë dzja palët për të përdorur më mirë burimet që i kemi me diversitet goxha të theksuar”, tha zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë në qeverinë e Shqipërisë, Ilir Bejta.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor luan një rol vendimtar në përpjekjet për të trajtuar sfidat mjedisore.

“Bashkimi Evropian është i përkushtuar të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor duke përfshirë Kosovën në rrugëtimin e tyre drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së mjedisit. Përmes financimeve të ndryshme dhe asistencës teknike, ne synojmë të forcojmë kapacitetin e rajonit për të adresuar sfidat e mjedisit dhe për të krijuar të ardhme të qëndrueshme”, tha ai.

Zyrtarë të Rregullatorit të energjisë thanë se viteve të fundit janë shtuar investimet në energjinë e ripërtërishme por sipas tyre kjo ende nuk është e mjaftueshme për vendin.

Kosova përmbush shumicën e nevojave të saja me energji elektrike nga dy termocentrale që prodhojnë rreth 95 për qind e energjisë së përgjithshme të vendit ndërsa llogariten si ndotës të mëdhenj të mjedisit në Kosovë.

/VoA