Balluku: KESH nuk ka paguar ende asnjë qindarkë për dy TEC-et lundurese në portin e Vlorës
January 09, 2024

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Belinda Balluku deklaroi sot se KESH nuk ka paguar deri tani asnjë qindarkë për dy TEC-et lundruese në portin e Vlorës.
Në konferencën për shtyp, mbi analizën vjetore të vitit që lamë pas, Balluku bëri të ditur se pagesa e qirasë do të nisë nga momenti që do të nisë prodhimi i energjisë. Kjo periudhë sipas saj, ka shërbyer për remont dhe lidhjen e tyre me rrjetin.
“Abuzohet vazhdimisht. Kam punuar shumë bashkë me ambasadoren në atë kohë të SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, që ti kemi këto HEC-e. TEC-et lundruese i morëm gjatë krizës energjetike botërore. Po të mos kishim ndihmën e Departamentit Amerikan të Energjisë nuk do t’i kishim marrë dot kurrë, pasi tregu përthithte çdo lloj njësie gjeneruese mobile në atë kohë”, tha Balluku.
Sipas saj, kompania që ka sjellë TEC-et lundruese në Vlorë është kompani amerikane, quhet quhet Excelerate Energy, bashkëpunëtore edhe për TEC-in e Vlorës dhe për gazsjellësin që do të lidhë portin e Vlorës me daljen e Fierit.
Kjo kompani, tha Balluku, punon prej vitesh me autoritetet shqiptare.
“KESH nuk i merr në dorëzim deri ditën që ato do të komisionohen nga ana teknike. Sot atje janë kompani ndërkombëtare. një kompani italiane dhe Excerelate Energy duke punuar. Një nga anijet e ka përfunduar fazën e remontit. Të dyja janë lidhur. OST ka ofruar të gjitha shërbimet për pikën e lidhjes. KESH është mbikëqyrëse”, tha ajo.
Sipas Ballukut, fakti që KESH nuk i ka marrë në dorëzim do të thotë se KESH nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë.
“Qëndrojnë aty duke u lidhur në sistem dhe duke u dorëzuar pothuajse të reja, pasi një industri ekselente po instalohet aty”, deklaroi ministrja.
Ministrja vuri në dukje se këto TEC-e do të mbeten aset i Republikës së Shqipërisë.
“Ndërkohë që do të paguhet qiraja për prodhimin e 110 megave në total, KESH do t’i përfitojë ato asete të regjistruara në inventarin e kompanisë. Jemi duke i pajisur me të gjithë. Në të ardhmen mund t’i japim me qira shteteve që janë në kërkim, ose mund t’i përdorim kur të kemi nevojë”, u shpreh ministrja.