Balluku: 2023-shi viti i disa projekteve të rëndësishme, nisim gazifikimin e Korçës
January 10, 2023

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se, Shqipëria synon të bëhet një lider energjetik i rajonit, duke u bërë një eksportues neto deri në vitin 2030.
Në fjalën e saj në konferencën për shtyp në lidhje me analizën vjetore të punës për vitin 2022 si dhe objektivave për vitin 2023, Balluku u shpreh se, problemi i vendit ka qenë që energjia prodhohej vetëm nga uji.
Ajo nënvizoi se energjia duhet të prodhohet edhe nga parqet fotovoltaike, edhe nga ato eolike, si dhe nga gazi.
Sa i përket energjisë së prodhuar nga era, Balluku tha se, “kemi nisur me BERZH-in dhe kemi mbyllur fazën e parë dhe tashmë do të mbyllim dhe fazën e dytë, duke pasur një kompani fituese, një kompani si ‘Voltalia’ që fitoi parqet fotovoltaike. Do të kemi një ose disa kompani, pasi kjo është një garë hibride, që mund të ndërtojë në total 200 MWh nga era”.
Por, shtoi Balluku, “ne kemi dhe një projekt tjetër, shumë të madh, të rëndësishëm dhe agresiv që është gazifikimi i Shqipërisë. Është një politikë e re, ka nisur para pak vitesh, kemi një kompani tashmë ‘Albgazin’”.
“Tashmë kemi arritur në një moment kur 2023-i do të jetë viti i realizimit të disa nga projekteve më të rëndësishme, duke nisur kështu edhe me gazifikimin e Korçës”, u shpreh Balluku.
Sipas Ballukut, pas Korçës do të vijojë gazifikimi i Fierit, duke theksuar se këto dy qytete janë të parat për këtë projekt për shkak të afërsisë me sistemin e gazsjellësit TAP.
Balluku nënvizoi se, “Shqipëria synon të bëhet një lider energjetik i rajonit, duke u bërë një eksportues neto deri në vitin 2030”.
Balluku shtoi më tej se këtë vit ka pasur interes të sektorit privat për të hyrë në fushën e energjetike dhe jo duke kërkuar më mbështetjen e çmimit të parapaguar dhe të paravendosur nga shteti.
“Gjatë këtij viti kemi miratuar 7 projekte, të cilat ekuivalojnë një kapaciteti 300 MWh, ose e thënë ndryshe një injektim nga investuesi privat në Shqipëri me 180 milionë euro. ndërkohë në MIE janë për miratim 55 projekte, të cilat në totalin e tyre ekuivalojnë në 1.7 GW, ose e thënë ndryshe 1.1 miliardë euro injektim financiar në ekonominë shqiptare”, tha Balluku.
“Hyrja fuqishëm e sektorit privat në industrinë energjetike, por pa mbështetjen e shtetit, se deri dje merreshin para’ nga shteti që të mbanim sektorin privat, tashmë po ndodh e kundërta, është një momentum historik për Shqipërinë, i cili gjatë vitit 2023 do të materializohet ndjeshëm”, u shpreh Balluku.
/j.p/r.e/